RMV, u zgjidh problemi me nxënësit e diplomuar në “Medresenë Isa Beu”
Ministri për Arsim dhe Shkencë në Maqedoninë e Veriut, Jeton Shaqiri, ka njoftuar që problem me mosnjohjen e diplomave për nxënësit e “Medresës Isa Beu” është zgjidhur sot nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
“Me vendim qeverie zgjidhet problemi i “Medreses Isa Beu”. Nxënësit të cilët do ta kryejnë arsimin e mesëm në Shkollën e mesme islame “Medreseja Isa Beu” do të mund të regjistrojnë studimet universitare në fakultetet e vendit”, njoftoi Shaqiri.
Ai vlerësoi që përmes këtij vendimi do të zgjidhet problemi shumëvjeçar i medresantëve që kanë diplomuar në këtë shkollë.
“Sot më 26.03.2024, Qeveria e RMV në mbledhjen e saj të rregullt solli vendimin që Medreseja “Isa Beu” në Shkup të akreditohet dhe merr statusin e rregullt të shkollave të mesme. Me këtë status nxënësit e Medresesë do të kenë të drejtë të regjistrohen në të gjitha Universitetet e vendit dhe jashtë vendit”, njoftoi Bashkësia Fetare Islame (BFI).
Medresantët kanë reaguar disa herë duke kërkuar që shteti t’ua njeh diplomat që të mund të regjistrohen në universitetet në vend.
Përndryshe futja e shkollave të mesme fetare në sistemin shtetëror trajtohet me vite të tëra. Nismë pati në vitin 2009 kur fakulteti për islamin dhe ai ortodoksinë u futën në sistemin shtetëror, por pa asgjë konkrete. Në vitin 2015 gjithashtu pati tentativë për zgjidhjen e kësaj, por përsëri pa rezultat konkret.