Kosovë

Kurti: Në veri janë ngritur 9 stacione policore për kontrollin e kufirit, s’kishte asnjë deri në vitin 2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në trevjetorin e qeverisjes, ka thënë se ka më shumë sundim të ligjit dhe se korrupsioni po luftohet.

Eliminimi i korrupsionit, Kurti ka thënë se varet nga prokuroria dhe gjyqësori.

“Ka më shumë sundim të ligjit. Korrupsioni po luftohet. Në indeksin e Transparency International mbi Perceptimin e Korrupsionit jemi përmirësuar për 21 vende në tri vjet dhe qëndrojmë në renditjen më të lartë ndonjëherë. Eliminimi i tij varet nga prokuroria dhe gjyqësori.”

I pari i ekzekutivit ka thënë se mbi 2.4 ton substanca narkotike janë konfiskuar nga Policia e Kosovës.

Kurti ka shkruar se paraja publike shpenzohet me përgjegjësi dhe ruhet e mbrohet.

“Mbi 2.4 ton substanca narkotike janë konfiskuar nga Policia e Kosovës. Afër 37 milionë euro mall dhe asete të sekuestruara dhe konfiskuara nga operacionet e Doganës së Kosovës. Numri i inspektimeve nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut është rritur për rreth 63% në krahasim me vitin 2019 – shifër kjo rekord e inspektimeve. Paraja publike shpenzohet me përgjegjësi dhe ruhet e mbrohet gjithashtu. Mbi 145 milionë euro i janë kursyer buxhetit të Kosovës nga tri procese të fituara në arbitrazhin ndërkombëtar.”

Gjithashtu, Kurti ka thënë se në Veri të vendit është ulur ilegaliteti e po shtohet ligjshmëria e siguria.

Ai ka shtuar se janë mbyllur 27 rrugë ilegale, janë shkatërruar 9 laboratore droge, 6 të kriptovalutave dhe 4 depo të armatimit.

Kurti ka thënë se janë sekuestruar alarme e kamera të strukturave ilegale, armatim e asete në vlerë prej 15 milion euro nga hetimet mbi sulmin në Banjskë.

“Në veri të vendit është ulur ilegaliteti, e po shtohet ligjshmëria dhe siguria. Janë mbyllur 27 rrugë ilegale, dhe janë shkatërruar 9 laboratore droge, 6 të kriptovalutave dhe 4 depo të armatimit. Janë sekuestruar alarme e kamera të strukturave ilegale, dhe armatim e asete në vlerë rreth 15 milionë euro nga hetimet mbi sulmin terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit, ku humbëm rreshterin shembullor Afrim Bunjaku por fituam një Hero të Kosovës dhe dolëm fitues e faqebardhë. Atje tash janë ngritur 9 stacione policore për mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit, e nuk kishte asnjë deri në vitin 2021. Pas 24 vjetëve në komunat veriore janë hapur e funksionalizuar zyrat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës dhe të Kadastrave Komunale në shërbim të qytetarëve dhe të bizneseve të ligjshme. Me largimin e targave ilegale, siguria publike është më e mirë. Po shtrohen rrugë që lidhin fshatrat mes vete në veri e me komuna në jug, po ndërtohen e rinovohen shtëpi të banorëve, e po modernizohet infrastruktura e telekomunikimit dhe internetit për shërbimet 4G+ dhe 5G.Qeverisje e sundimit të ligjit, e të gjithëve, pa dallim.”