Maqedoni

Bukë dhe produkte ushqimore falas për skamnorët! Në muajin e Ramazanit, shtrihet dora e lëmoshës

Në muajin e Ramazanit, shtrihet dora e lëmoshës në mënyrë të veçantë. Besimtarët shprehin dashurinë ndaj të tjerëve duke dhënë nga pasuria e tyre për të ndihmuar ata që janë në nevojë. Në shumë vende shihen kioska të cilat dhurojnë bukë falas.

“Nëse s’ke merr, nëse ke dhuro. Këtu në një kioskë të Shkupit është vendosur ky shkrim, ku të gjithë nevojtarët të cilët nuk mund të paguajnë ushqime mund të marrin falas, thotë gazetarja e TV21, Fazile Halili.

Kjo kioskë gjendet në hyrje të Shutkës. Në rafte janë të vendosur lëngje, ujë, vaj, qumësht dhe shumë gjëra të tjera, të cilat mund të merren pa pagesë, për ata s’kanë mundësi për t’i blerë.

Një kioskë tjetër dhe një furrë në afërsi të Vizbegut gjithashtu po japin falas ushqime të ndryshme.

E këta dy 2 fëmijë po marrin bukë falas, në furrën e fshatit Batincë.
Pronari i furrës, Xhelil Totaj, thotë se ka shumë familje nevojtare të cilat marrin bukë rregullisht.

“Ai që ka nevojë e merr dhe vazhdon, asnjëherë nuk i kërkojmë të holla, asgjë. Tani nuk mundem t’i obligohem se përse nuk e pagove, ai që është i nevojshëm e din e merr dhe vazhdon”, tha Totaj.

Ai shtoi se kjo traditë do të vazhdojë edhe pas muajit të Ramazanit për të dhënë bukë falas pasi siç tha, ka persona të cilët lënë të holla me qëllim që skamnoret të marrin falas.