FËMIJËT NË TIMON! / SPB Tetovë: për dy muaj dënohen 300 të mitur
Në dy muaj e gjysmë të kaluar të këtij viti, në rajonin e gjerë të Tetovës, janë zbuluar dhe sanksionuar gjithsej 300 persona, të cilët kanë drejtuar automjete pa kaluar paraprakisht testin për patent shofer, njoftojnë nga SPB-Tetovë. Më problematike në këto shifra është se të gjithë këta 300 personat e dënuar pa patent shoferi janë të mitur.
“Rreth 30 prej tyre ishin të mitur që drejtonin kryesisht vetura, në pronësi të prindërve apo të afërmve të tyre. Për të gjithë ata janë përgatitur parashtresat e parapara me gjobë prej 250 eurosh në kundërvlerë në denarë, ndërsa pronarët e automjeteve që i kanë lënë të vozisin, edhe pse e kanë ditur se nuk e kanë kaluar pjesën teorike dhe praktike të provimit për vozitje, do të përballen edhe me një gjobë të tillë. Në të njëjtën periudhë në zonën e Gostivarit janë sanksionuar në mënyrë adekuate 115 persona pa patentë shofer, prej të cilëve 8 të mitur”, deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB-Tetovë.
Më tutje nga policia e Tetovës apelojnë që personat të cilët nuk kanë leje për vozitje të mos drejtojnë automjete.
“SPB-Tetovë apelon shoferët që të mos ulen në timon, pa patentë shoferë, jo vetëm për automjetet e udhëtarëve apo mallrave, por edhe motoçikletat, të cilat në periudhën e ardhshme do të jenë gjithnjë e më të shumta në rrugët e Tetovës dhe të Gostivarit. Sepse do të forcohen kontrollet e planifikuara dhe do të sanksionohen të gjithë ata që marrin pjesë në komunikacion në zonën Tetovë-Gostivar pa e kaluar testin e patent shoferit”, tha Fatmir Rexhepi.
Sipas statistikave të policisë, vitin e kaluar respektivisht në vitin 2023, në rajonin e gjerë të Tetovës janë zbuluar dhe sanksionuar ligjërisht gjithsej 1671 persona të cilët kanë drejtuar automjete pa kaluar testin për patent shofer dhe patentë të vlefshme për drejtim, kryesisht vetura, por edhe automjete mallrash, si dhe automjete që marrin pjesë në transportin publik të udhëtarëve.
“Krahas kësaj, në periudhën në fjalë janë sanksionuar 288 drejtues fillestar, të cilët nuk kanë respektuar kufizimet ligjore të parashikuara për këtë kategori pjesmarësish në komunikacion. Për ata që kanë drejtuar pa patentë shofer, në pajtim me nenin 225 të Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor, u janë përgatitur gjoba me vlerë prej 250 euro në kundërvlerë në denarë, ndërsa 250 euro do të duhet t’i paguajnë pronarët e automjeteve që i kanë dhënë të drejtojnë automjetet edhe pse e dinin se nuk e kishin të kaluar provimin për patent shofer. Nga ana tjetër, shoferët fillestarë do të përballen me gjobë prej 200 euro në denarë neni 277 i Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor”, tha zëdhënësi Rexhepi.
Në zonën e gjerë të Gostivarit, vitin e kaluar janë sanksionuar 558 persona pa patentë shoferi. /Koha/