Maqedoni

Mezi mbijetojnë familjet me të ardhura të ulëta

Tashmë një dekadë, 52 vjeçari Bejtulla Bejtullah nga fshati Orllancë i Komunës së Haraçinës ka këtë karrocë si shoqërues ta pandarë në jetën e tij. Dy këmbët e tij të amputuara dhe problemet e vazhdueshme shëndetësore me diabetin kanë lënë përgjysmë ëndrrën për të ndërtuar një jetë më të mirë për këtë familje. Ajo që e rëndon edhe më shumë këtë kryefamiljar është të mbijetuarit me vetëm 11 mijë denarë në muaj, shumë e cila grumbullohet nga dy ndihmat e invaliditetit që ka.

“Tash, unë marrë vetëm ndihmë për kujdes, ato janë 11 mijë denarë. Ato i kam të ardhura të vetme, nuk kam të ardhura tjera. Mirëpo, sërish faleminderit njerëzve bamirës, miqve që më ndihmojnë nga pak dhe mundem me ja dal deri në fund, por prap s’ia dal. Ato e din se me 11 mijë denarë për me jetu normal një familje me tre ose katër anëtarë nuk mundet me jetu më shumë se një javë edhe atë thjesht jo diçka luks, a unë duhet me kalu një muaj me 11 denarë. Është e pamundur, veç me hangër se për tjetër gjë nuk dalin, edhe me hangër diçka shumë thjeshtë sa me mund me kalu, po ku janë ilaçet”, tha Bejtulla Bejtullah, banor i fshatit Orllancë.

Bejtullah ka kaluar 17 operacione, por dhimbjet nuk iu ndalën asnjëherë. Pas një muaji ai duhet të vendos nëse do të kryej edhe operacionin e 18. Përveç ndërhyrjeve kirurgjikale, ai ka edhe një listë të gjatë të ilaçeve të cilat përbëjnë terapinë e rregullt të tij.

“Këtu diku e kam listën e terapiave, 8.500 den në muaj marr terapi, plus asaj për dhimbje që i marr se ato dhimbjet nuk mi ndalin, i marr disa pika në shishe të vogël edhe ato vetëm prej në Zvicër që njëri mi sjell. Nji shishe e vogël 80 euro mi merr ndërsa mua më duhen dy shishe që ta kaloj muajin se pa ato dhimbjet nuk më ndalen”, shtoi Bejtulla Bejtullah, banor i fshatit Orllancë.

Bejtullah ka edhe një sërë kritikash për shëndetësinë në vend për shkak se është detyruar të paguaj analiza të caktuara pavarësisht diagnozës që ka./Alsat.mk

Të interesuarit që dëshirojnë të ndihmojnë këtë familje mund të kontaktojnë në numrin e telefonit: +389 71 747 513 Bejtulla Bejtullah, fshati Orllancë, Komuna e Haraçinës