Çmimet e produkteve ushqimore në Maqedoninë e Veriut, larg standardit të qytetarëve
Çmimet e produkteve ushqimore mbeten akoma të shtrenjta në rajonin e Maqedonisë së Veriut. Edhe pse pas heqjes së çmimeve të garantuara nuk pati një rritje të re drastike, por edhe këto aktuale mbeten shumë lartë nga standardi i qytetarëve.
Kjo bëri të rritet shporta e konsumit për 25 euro vetëm muajin e fundit, ndërsa për një familje katër anëtarë kostoja e jetesës mujore me gjithë qiranë kalon 1 mijë e 200 euro.
Ajo që rritet me hapa të ngadalshëm janë pagat. Në mars vetëm 40 euro do rritet paga minimale, dhe krahas harmonizimit me të edhe pagat në sektorin publik do rriten njësoj për rreth 60 mijë të punësuar. Por sektori privat mbetet gjithashtu larg arritjes së ritmit të shtrenjtimeve. Andaj ekspertët këtë e shohin si problem të ikjes së qytetarëve.
Nga Odat Ekonomike, thonë se bizneset po tkurren nga masa të shumta të shtetit. Ata thonë se fuqia prodhuese vendore është e ulët prandaj kjo ndikon në rritje të çmimeve sepse gjithçka importohet. Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, thonë se shteti nuk duhet të merret vetëm me masa ndëshkuese për bizneset por të krijojë kushte konkurruese që vetë të rregullohet tregu i lirë.
Një stabilizator i çmimeve pritet të bëhet përmes Ligjit për ndalimin e praktikave të padrejta tregtare. Kryetarja e Komisionit për mbrojtjen e konkurrencës, Ana Nikolloska, tha se në ligj janë theksuar se cilat janë praktikat e padrejta tregtare dhe për parandalimin e tyre do të ketë punësime të reja. Në afat prej 6 muajsh do të harmonizojë gjitha aktet nënligjore për zbatimin e tij, ndërsa gjobat do jenë deri 20 mijë euro.
Një ligj i tillë është duke u zbatuar në Slloveni, Kroaci dhe Bullgari, ku paga mesatare është shumë me e lartë krahasuar me pagat tona. Edhe Mali i Zi nga prilli ka miratuar ngrirje e marzhës së fitimit të rreth 500 artikujve të çmimeve me pakicë, paga mesatare në Mal të Zi është 814 euro, ndërsa minimumi 450 euro. Tregtarët e rrjeteve të super marketeve që nga koha e pandemisë e deri në masat e ngrirjes së çmimeve, kanë shtrenjtuar ushqimoret deri nga 35-70 për qind pa deklaruar fatura të kostove aq të larta të shpenzimeve.