Maqedoni

PDSH dhe BDI të hënën do të nënshkruajnë marrëveshje koalicioni për zgjedhje

PDSH dhe BDI, të cilët dikur ishin oponentët kryesorë të bllokut politik shqiptarë, në këto zgjedhje do të garojnë bashkë. Këtë e konfirmoi kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi në një intervistë për Klan Maqedoni, transmeton Portalb.mk.

Thaçi tha se marrëveshja do të nënshkruhet të hënën, ndërkaq deri tek ajo ka ardhur pas bisedimeve dhe idesë e cila është formuar në dy vitet e fundit.

Lideri i PDSH-së, thekson se marrëveshja nuk e përfshin vetëm BDI-në dhe PDSH-në, por edhe Partinë Demokratike për Eurointegrim të udhëhequr nga Arjanit Hoxha, ndërkaq ka plane edhe për bashkëpunim me partitë turke dhe boshnjake, por edhe me shoqata tjera.

“Sot unë dhe zoti Ahmeti e kemi mbyllur marrëveshjen, e cila do të nënshkruhet të hënën në ora 12 në pallatin e kulturës, kemi pasur biseda të gjata, dhe është ide e zotit Ahmeti që para dy viteve. Kjo ide dalëngadalë është pjekur mes BDI-së dhe PDSH-së, po ashtu ditën e hënë do të nënshkruajmë marrëveshje me partinë Evropiane të Integrimit të Arianit Hoxhës, planifikohet edhe me një parti turke, boshnjake dhe disa shoqata. Këto i udhëheq zoti Ahmeti si bartës i këtij misioni. Unë gjithmonë kam qenë i drejtpërdrejtë, dhe nuk më takon mua që të pengoj zotin Ahmeti të krijojë një koalicion më të fuqishëm, dhe komunikimi jonë është unilateral vetëm e PDSH-së , dhe të tjerat janë vetëm përgjegjësi zotit Ahmeti. Koalicioni që jemi ne ka një forcë kryesore politike e cila është BDI-ja e zotit Ahmeti, dhe është realiteti sot i tillë. Pjesa tjetër janë copëza partish të ndara të cilat ende nuk e kanë treguar fuqinë e tyre në elektoral”, tha Thaçi.

Më 19 mars lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, zyrtarizoi koalicionin e Frontit Evropian me kryetarin e Lëvizjes Populli, Skender Rexhepi-Zejd. Ahmeti tha se Rexhepi ka përkrahur politikat e tyre dhe nuk ka kundërshtuar vendimet e pushtetit, përfshirë këtu edhe kryeministrin shqiptar. Ahmeti në pyetjet e gazetarëve tha se po bisedojnë prej kohësh edhe me parti të tjera, që t’i bashkëngjiten këtij fronti.

Jozyrtarisht nëpër media është shkruar se edhe Aleanca për Shqiptarët (grupi i Ziadin Selës), pritet që t’i bashkohet “Frontit Evropian”.

Në anën e kundërt është opozita shqiptare e cila në këto zgjedhje është bashkuar. Lëvizja BESA, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët (krahu i Arben Taravarit) do të dalin bashkë në zgjedhje.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.