Maqedoni

Aleanca për Shqiptarët, vazhdojnë akuzat për pronësinë e partisë

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari vazhdon akuzat ndaj ministri të Drejtësisë, Krenar Lloga për presion ndaj Gjykatës në Tetovë me qëllim tërheqjen e gjykatësve jo të dashur nga procedura kontestuese mbi pronësinë e partisë. Nga fillimi i procesit deri tani janë ndërruar dy gjykatës të cilët sipas Taravarit kishin për qëllim të sillnin vendim të drejtë dhe ligjor, por që LLoga ka ushtruar presion për tërheqjen e tyre.

“Një gjykatëse u ndërrua para shtatë tetë dhe u emërua gjykatësja tjetër. Tani po bëhen presion i jashtëzakonshëm ose kërkesë nga ministri Lloga, kërkesë për ta ndërruar edhe të dytën, ndërsa para vetëm tre katër ditësh ia kanë ndarë lëndën. Se di sa gjykatës do ndërrojnë? Nëse zgjidhet edhe i treti më duket se do kërkojnë ta nderojnë edhe të tretin, apo më duket se shkojnë ta kërkojnë gjykatësin i cili ju konvenon atyre. Por mos lodhen kot se pastaj do ketë ankesë kjo”, tha Arben Taravari, Kryetar i ASH-së.

Ndaj akuzave të Taravarit ka reaguar Lloga i cili e ka cilësuar ish kreun e tij partiak të lajthitur e që duhet t’i kërkon falje publike. Lloga tha se kërkesa ka ardhur nga subjekti përmes avokatit dhe me arsye konkrete.

“Arben Taravari ose është i keqinformuar ose është në një lajthitje të plotë dhe për të njëjtën gjë duhet të kërkojë falje publike. Ministri i Drejtësisë në asnjë moment dhe në asnjë rast nuk ka kërkuar të ndërrohet ndonjë gjyqtar në ndonjë proces gjyqësor, kërkesa për ndërrim të gjyqtarëve në procedure të rregullt gjyqësore është bërë nga Aleanca për Shqiptarët përmes avokatit të saj, me arsyet konkrete”, u shpreh Krenar Lloga, Ministër i Drejtësisë.

Bashkimi me opozitën shqiptare i Arben Taravarit, nxori në pa përçarjet brenda ASH-së. Arben Taravari u kërcënua për vendimin e marrë, ndërsa dyja palët thirrën kongrese të ndara. I pari e la Taravarin për kryetar, ndërsa kongresi tjetër e riktheu Ziadin Selën në krye të partisë. Mbi pronësinë e partisë, vulat dhe hapësirat, çështja do të merr epilog në rrugë gjyqësore./Alsat.mk