September 20, 2024
Maqedoni

Mungesa e punëtorëve dhe krizat ekonomike, vështirësohet mbijetesa e bizneseve në Strugë

Mungesa e punëtorëve dhe krizat e një pas njëshme në rajonin e Strugës dhe Ohrit kanë vështirësuar punën e bizneseve, të cilët janë duke mbijetuar. Ka mungesë të madhe të punëtorëve në ndërtimtari dhe në turizëm.

Nga Oda Ekonomike thonë se largimi i të rinjve nga vendi ka vështirësuar punën e bizneseve, sidomos në fushën e turizmit, ku gjatë sezoneve turistike Struga dhe Ohri e vuajnë shumë. Mungesa e punëtorëve në vend ka disa vite që ka filluar dhe duhet të merren masa për t’u zgjidhur problemi, sepse mund të sjellë tek falimentimi i shumë bizneseve por edhe turizmit.

“Jo vetëm Maqedoni por tërë rajoni ka probleme në lidhje me fuqinë punëtore, sidomos në fushën e turizmit dhe ndërtimtarisë. Struga dhe Ohri e përjetojnë më së shumti sidomos gjatë verës kur është koha e turizmit dhe ne kemi pasë problem dhe kemi bërë thirrje që të bëhet diçka për mos largimin e të rinjve për fat të keq largohen, dhe Struga gjatë verës ka mundësi që përsëri të ketë problem me fuqinë punëtore”, u shpreh kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Mendi Qyra, për TVM2.

Krizat që pasuan pas pandemisë kanë lënë pasoja të mëdha tek bizneset dhe ekonomia e vendit. Tashmë shumë biznese janë mbyllur, ndërsa disa të tjerë mbijetojnë me vështirësi. Nga Oda Ekonomike thonë se ndihmat e shtetit për kompanitë ishin shumë të vogla.

“Kriza Covid 19, kriza e luftës, energjetikës dhe financiare pasojat janë të mëdha dhe një pjesë e kompanive nuk kanë mundur të mbijetojnë për fat të keq. Edhe pse qeveria u thirr në atë se ka bërë ndihmesën e duhur, përsëri e dijmë që një pjesë e madhe për shkak të krizës energjetike gjatë dimrit ishin mbyllur dhe kjo la pasoja, dhe kjo bëri që edhe një pjesë e punëtorëve të largohet nga vendi dhe kjo ka ende pasoja”, theksoi Qyra.

Edhe pse në rajonin e Strugë dhe Ohrit po hapen biznese të reja, numri i atyre që tashmë janë mbyllur është më i lartë. Ndërsa mungesa e punëtorëve turistik lokal do të mbulohet me punëtorë nga vendet e largëta të cilët janë kontraktuar për të punuar në vendin tonë.