September 19, 2024
Maqedoni

Erdogan mallkon Netanjahun për Gazën

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdoan, mallkoi kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, për vuajtjet që po u shkakton palestinezëve, sulmi kundër Hamasit në Rripin e Gazës.

Në një fjalim në qytetin Kajzeri, Erdoan u shpreh se dëshironte që “Allahu ta shkatërronte dhe ta mjeronte Netanjahun”, që nuk e ndal luftën edhe në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit.

Ministria e Jashtme Izraelite thirri për sqarime ambasadorin turk në Tel Aviv, duke e konsideruar mallkimin e Erdoanit, një kërcënim për vrasje ndaj kryeministrit Netanjahu. Izraeli duket i rrethuar me zjarre nga të katër anët.

Këtë të premte votohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, rezoluta e Shteteve të Bashkuara, aleatit historik të Izraelit, ku për të parën herë kërkohet armëpushim në Rripin e Gazës.

Deri më sot, Uashingtoni i ka hedhur poshtë rezoluta të ngjashme të paraqitura në Këshillin e Sigurimit.

Rezoluta u paraqit si një përpjekje për ta detyruar Izraelin të mos e nisë sulmin në Rafah ku rrezikohet shumëfishimi i viktimave pelestineze, pasi aty strehohet gjysma e popullsisë që ka braktisur shtëpitë në zonat ku luftohet.

Për këtë çështje, sekretari amerikan i Shtetit, Entoni Blinken u takua në Tel Aviv për të 6-tën herë që prej 7 Tetorit, me kryeministrin Benjamin Netanjahu.