Maqedoni

Mbrojtja e ambientit, prioritet për autoritetet e vendit dhe organizatat e huaja

Nevoja për mbrojtjen e ambientit nga ndryshimet klimatike vazhdon të jetë prioritet për autoritetet vendase, por dhe organizatat e huaja në vendin tonë. UNICEF-i në bashkëpunim me ambasadën e Suedisë dhe institucionet përkatëse përkrah idetë e të rinjve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e ambientit dhe idetë inovative në ekologji.

“Nisma jonë është të bëhen markezë, që të shkruajmë në letër apo dhe tabela me mbetjet që i marrim nga oxhaqet e shtëpive dhe me shtimin e disa medikamenteve mund të formojmë këtë produkt.”, – theksoi Petar Todorovski nga gjimnazi “Orce Nikollov”.

“Jemi për të prezantuar projektet me inovacionet që kemi bërë për pastrimin e ajrit në hapësirat e shkollave tona. Paneli punon për pastrimin e grimcave dhe pluhurit, por dhe mbetje të metaleve. Paneli punon me energji diellore dhe gjatë natës furnizohet me energji nga bateritë.”, – u shpreh Andrea Gagalevska.

“UNICEF-i vite me radhë punon me të rinjtë për të promovuar idetë e tyre, për t’u kujdesur për ambientin. Të rinjtë nuk janë vetëm e ardhmja, por dhe e tanishmja, sepse këta të rinjtë do të kujdesen për të ardhmen tonë, shteti juaj duhet të jetë krenar për të rinjtë pasi që janë të përkryer.”, – thanë nga UNICEF-i.

Në procesin edukativo-arsimor veç më ka filluar të mësohet për rëndësinë e mbrojtjes së ambientit. Ndërsa autoritetet e Ministrisë së Arsimit veç më po punojnë për efikasitetin energjetik në objektet shkollore.

“Të gjitha shkollat e reja që rikonstruohen janë projekte ku vetëm vitin e kaluar në 50 shkolla janë përfunduar projekte të efikasitetit energjetik. Vazhdojnë dhe projektet ku nxënësit mundohem me vetiniciativë dhe me mjete të shkollave. Më e rëndësishme është fakti që për herë të parë në programet e arsimit fillor dhe të mesëm futet dhe çështja e edukimit për mbrojtje të ambientit.”, – deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.

Lufta kundër ajrit të ndotur dhe ruajtja e ambientit jetësor në kryeqytet për ministren e Ekologjisë, Kaja Shukova, nënkupton investime në transportin urban, por dhe hapësira të gjelbra.

“Të dhënat thonë se ka trend të uljes së ndotjes së ajrit. Do të porosisim 5 apo 6 autobusë ekologjik për qytetin e Shkupit, një ashtu dhe investim në hapësira të gjelbra. Mund të ketë dhe intervenime në aparatet e monitorimit.”, – theksoi ministrja e Ambientit Jetësor, Kaja Shukova.

Projektet që po i realizojnë nxënësit e shkollave të mesme dukshëm po ndikojnë në uljen e shpenzimeve të shkollave. Në këtë projekt për ide inovative dhe recikluese për mbrojtje të ambientit do të shpërndahet dhe grant për sofistikimin e idesë.