Maqedoni

VLEN-i kushtëzon pjesëmarrjen në Qeveri, Taravari: Ndryshimet kushtetuese janë parakusht

Koalicioni VLEN nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie, e cila nuk do t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese, deklaroi kandidati presidencial i këtij koalicioni, Arben Taravari. Sipas tij, ndryshimet kushtetuese do të jenë parakusht nga opozita shqiptare dhe beson se e njëjta vlen edhe për të gjitha partitë shqiptare.

“Ne si VLEN e kemi parakusht, jo kusht për t’u bërë pjesë e Qeverisë vetëm nëse Maqedonia e Veriut e vazhdon rrugën evropiane, pa atë nuk jemi të interesuar. Dikush tjetër në qoftë se është i interesuar le të vazhdojë. Në parim ne kemi një marrëveshje “xhentëlmeni” me të gjitha partitë politike më të mëdha, se nuk bëhemi pjesë e një Qeverie që nuk i bën ndryshimet kushtetuese, respektivisht nuk e vazhdon rrugën evropiane.”, – deklaroi kandidati për president i VLEN-it, Arben Taravari.

Taravari: Po bëhet presion ndaj gjykatësve për vulat e ASh-së

I pyetur rreth procedurës gjyqësore për atë se kush duhet të udhëheqë me ASh-në, Arben Taravari apo Ziadin Sela, Taravari ngrit dilema për ndikim nga ministri i Drejtësisë në ndërrimin e dy gjykatësve.

“Është e vërtetë se procedura në gjykatë ka filluar, se kush do ta udhëheqë Aleancën për Shqiptarët, para 4-5 ditësh e ndërruan një gjykatës, kërkoi, nuk e di se kush kërkoi, por besoj se ministri i Drejtësisë dhe e ndërruan gjykatësin. Pardje lëndën e mori gjykatësja e dytë dhe dje përsëri kanë bërë kërkesë që të ndryshohet edhe gjykatësja e dytë. Unë nuk e di se sa kërkesa do të bëhen të këtij lloji, besoj derisa t’u goditet ndonjëri që u duhet atyre. Unë i kam informuar edhe disa ambasada, por edhe publikisht u bëj ftesë që kjo nuk është në rregull, nuk është e rastësishme.”, – theksoi kandidati për president i VLEN-it, Arben Taravari.

Përmes një komunikate me shkrim ka reaguar ASh-ja, krahu i Ziadin Selës, ku thuhet se ministri i Drejtësisë nuk ka kërkuar të ndërrohet ndonjë gjyqtar.

“Ministri i Drejtësisë në asnjë moment dhe në asnjë rast nuk ka kërkuar të ndërrohet ndonjë gjyqtar në ndonjë proces gjyqësor. Kërkesa për ndërrim të gjyqtarëve në procedurë të rregullt gjyqësore është bërë nga Aleanca për Shqiptarët përmes avokatit të saj, me arsyet konkrete. Braktisja e shtëpisë politike nga ana e Taravarit nuk duhet të shoqërohet me shpifje dhe të pavërteta.”.

I pyetur lidhur me ftesën për iftar nga kandidati për president I BDI-së, Bujar Osmani, Taravari tha se për sot e ka agjendën e paracaktuar, por tha se nëse mund të caktohet ndonjë termin që u konvenon të dyja palëve, do të merrte pjesë në iftar. Taravari pret që Osmani të merr pjesë në debatin e iniciuar nga ai për emigrimin.