50% e kompanive të huaja hamenden se a të investojnë në vendin tonë
Në Indeksin për Përceptim të Korrupsionit, për vitin 2023, Maqedonia e Veriut është renditur në listën e vendeve ku drejtësia e dobët mundëson lulëzim të korrupsionit.
Ky vend ka shënuar përparim të lehtë, me 42 pikë – dy më shumë se vitin e kaluar – por që, sipas raportit, progresi ka shënuar kthim mbrapa, pas ndryshimeve që janë bërë në Kodin Penal.
Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.
Ndërkohë, pushteti dhe opozita i interpretojnë ndryshe rezultatet sa u përket investimeve të huaja në Maqedoninë e Veriut.
“Nëse i shikojmë të dhënat ndër vite, për periudhën 2006-2016, gjithsej investimet e huaja direkte arritën në 3.024.25 milionë euro, ose mesatarisht 274.93 milionë euro në vit. Ndërsa, në periudhën kohore 2017-2023, gjithsej shtatë vjet kalendarikë, fluksi i përgjithshëm i investimeve të huaja direkte (IHD) në Maqedoninë e Veriut arriti në 3.237,03 milionë euro, ose mesatarisht rreth 462.43 milionë euro për secilin nga shtatë vjetët”, ka theksuar zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi.
Por, për opozitën maqedonase, VMRO-DPMNE-së, trendin e rënies së investimeve e tregon fakti se Maqedonia e Veriut, në bazë të të dhënave të Bankës Botërore, radhitet në mesin e vendeve me më pak investime të huaja.
“Rezultatet në fushën e investimeve të huaja direkte janë katastrofale në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor. Së bashku me Bosnje-Hercegovinën, Maqedonia [e Veriut] është në fund të tabelës, për sa u përket investimeve të huaja në tre vjetët e fundit”, kanë thënë zyrtarë të kësaj partie opozitare.
Në Maqedoni të Veriut, qysh prej vitit 2006 është investuar në promovimin e vendit si shtet me mundësi të mëdha investimi, duke bërë edhe ndryshime ligjore që përfshinin lehtësime si shmangja e taksave, subvencionet për kompanitë importuese, subvencionet për pagesën e kontributeve për sigurimin e të punësuarve, grante për infrastrukturë, tokë ndërtimore të subvencionuar e tjera.
Me këtë rast ishte hapur edhe Agjencia për Investime të Huaja, Drejtoria për Zona Teknologjiko-Industriale, të cilat kanë për detyrë promovimin e Maqedonisë së Veriut si shtet të volitshëm për investime të huaja, përmes fushatave të ndryshme dhe mbështetjes administrative për investitorët potencialë.