Maqedoni

Tentuan ta godasin me veturë – tre të arrestuar për sulm ndaj zyrtarëve policorë

Dy raste të dhunës ndaj zyrtarëve policorë janë regjistruar për një ditë në Maqedoninë e Veriut, ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme.
Një rast, më i rëndi, ku me veturë është bërë përpjekje për të goditur një policë gjatë detyrës zyrtare, është regjistruar në Shtip dhe nën pranga kanë përfunduar dy persona.

“Më 14.03.2024 në Shtip, nëpunësit policorë nga Stacioni Policor Shtip kanë privuar nga liria L.D.(44) dhe Sh.D.(44), që të dy nga Shtipi, për shkak se L.D. është përpjekur me veturë “Alfa romeo” me targa të Koçanit, të godasë zyrtarin policor, kurse Sh.D. është sjellë në mënyrë agresive dhe ka penguar policët në kryerjen e detyrave zyrtare”, qëndron në njoftim.

Rasti i dytë i dhunës ndaj policëve, është regjistruar në Kërçovë.

“DPB Kërçovë ka parashtruar kallëzim penal kundër A.H.(26) nga Kërçova, për shkak të ekzistimit të dyshimit se ka kryer veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave të sigurisë”. Më datë 09.03.2024 në rrugën magjistrale Kërçovë – Ohër, i denoncuari ka sulmuar fizikisht zyrtarët policorë të cilët kanë kryer veprime zyrtare”, thonë nga MPB-ja.