Rajon - Botë

Europa bëhet gati për luftë, Danimarka propozon shërbimin e detyrueshëm ushtarak për gratë

Danimarka po përgatitet të prezantojë shërbimin e detyrueshëm ushtarak edhe për gratë. Lajmin e bëri me dije ministri danez i Mbrojtjes Troels Lund Poulsen në një konferencë për shtyp.

Kështu, Kopenhagen do t’i bashkohej një numri të vogël qeverish (Suedi, Norvegji, Izrael) që tashmë barazojnë meshkujt dhe femrat në detyrimin për t’i shërbyer atdheut me armë.

Njoftimi i ministrit Poulsen është pjesë e një plani më të gjerë për të forcuar sigurinë kombëtare: kjo përfshin zgjatjen e shërbimit ushtarak nga katër në 11 muaj dhe rritjen e kontingjenteve ushtarake të disponueshme në rast nevoje.

Aktualisht forcat e armatosura daneze kanë një numër personeli që varion nga 7,000 deri në 9,000 njësi. Me reformën, këtij kontingjenti do t’i shtohen edhe 5000 burra e gra me uniformë.

Shërbimi është i detyrueshëm për burrat që kanë mbushur moshën 18 vjeç, ndërsa regjistrimi vullnetar tashmë është parashikuar për gratë.

egjithatë, jo të gjithë qytetarët e rritur kryejnë shërbimin aktual ushtarak: meqenëse ushtria siguron një numër më të vogël vendesh se sa disponon, regjistrimi bëhet përmes një tërheqjeje të rastësishme të rekrutëve.

Por çfarë e shtyu qeverinë e Kopenhagës të zgjeronte shërbimin e detyrueshëm për të gjithë popullsinë?

Erërat e luftës që fryjnë nga Rusia dhe që kanë nxitur tashmë edhe dy kampionë të neutralitetit, si Finlanda dhe Suedia për t’u bashkuar me NATO-n? Apo një çështje e barazisë gjinore, djepi historik i së cilës janë vendet skandinave? Ndoshta të dyja.

Ministri i Jashtëm, Lars Rassmussen, tha se e gjithë kjo ishte pjesë e një forme parandalimi: “Rusia nuk përbën kërcënim për Danimarkën, por ne nuk do të arrijmë në pikën që Moska të bëhet e tillë”.

Dhe në këtë drejtim vlen të kujtojmë se danezët tashmë janë pjesë e Aleancës Atlantike. “Ne nuk po riarmatosemi në Danimarkë, sepse duam luftë. Ne po riarmatosemi pikërisht tani për të shmangur luftën dhe në një botë ku rendi ndërkombëtar vihet në pikëpyetje”, tha kryeministrja Mette Frederiksen.

Vetë Frederiksen nënvizoi se “nuk kemi asnjë dyshim se barazia më e madhe gjinore do të krijojë një mbrojtje më moderne dhe të larmishme që pasqyron kohën në të cilën jetojmë”. Është interesante të theksohet se shërbimi i detyrueshëm ushtarak tani është përjashtim dhe jo rregull në Evropë.