Maqedoni

Konferencë ndërkombëtare, 60 vjet nga themelimi i Gjykatës Kushtetuese

Dëshira dhe vullneti për të sunduar ligji mbi të gjitha mangësitë politike është dëshmi se Gjykata Kushtetuese ka vendosmëri të luftojë për drejtësi, kështu porositi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska, me rastin e shënimit të 60 vjetorit nga themelimi i kësaj gjykate. Ajo u bëri thirrje të gjithë aktorëve politik të punojnë në përforcimin e kapaciteteve të Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar që Padia Kushtetuese të jetë pjesë e Kushtetutës si mënyrë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Edhe përkundër uljes së besimit në gjyqësor, Gjykata Kushtetuese vazhdon të luftojë për sundimin e ligjit dhe parimeve të tjera, tha Kacarska.

“I inkurajoj qytetarët që të kërkojnë mbrojtje nga Gjykata Kushtetuese para se të ekspozohen me pasoja financiare jashtë vendit dhe ta mbrojnë atë që është e tyre. Drejtësia është krijuar për ata që janë zgjuar.”, – deklaroi kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska.

Kryeministri Talat Xaferi, kryetari i shtetit, Stevo Penadrovski dhe ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, mbështetën Gjykatën Kushtetuese dhe veprimet proaktive në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

“Vetëm në dy muajt e parë të këtij viti Gjykata Kushtetuese e RMV-së konstatoi shkelje të lirisë së mendimit dhe shprehjes publike në procedurë gjyqësore për rastin e dy gazetarëve. Është diçka për të cilën duhet kushtuar vëmendje. E drejta e shprehjes së mendimit është themeli i botës demokratike më shumë se kurrë dhe ajo duhet të jetë në dispozicion real.”, – theksoi kryeministri, Talat Xhaferi.

“Vlerësoj se në të ardhmen Gjykata Kushtetuese duhet edhe në mënyrë më aktive të profilohet si mbrojtës i të drejtave dhe lirive të njeriut. Njëra nga mënyrat është ndryshimi i Kushtetutës dhe futja e Padisë Kushtetuese si mjete juridike për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive.”, – u shpreh kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski.

“Strategjia zhvillimore e gjyqësorit 2024-2028 i kushton vëmendje të posaçme Gjykatës Kushtetuese të RMV-së, ku është e nënvizuar se është i nevojshëm diskutim profesional që të përforcohen kapacitetet në këtë instancë, posaçërisht në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.”, – deklaroi ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.

Ambasadorja e ShBA-së në vend, Angela Ageler, theksoi se pushteti gjyqësor duhet të çlirohet nga presionet, ndërsa nga Misioni i OSBE-së u zotuan se do ta bëjnë drejtësinë më të qasshme për të gjithë qytetarët.

“Vlerësoj se Kushtetuta jonë nuk është e shënuar në zall, që të mund të lahet me çdo valë të gjykatësve të ri që janë nën ndikim të valës politike. Unë kam dëgjuar shumë nga ju për presionin që u bëhet. Presionet mbi pushtetin gjyqësor në RMV është diçka që patjetër duhet të ndërpritet.”, – theksoi ambasadorja e ShBA-së në RMV.

“Futja e mekanizmit të ankesave është efikas tani më një kohë më të gjatë. Në vend se të mbështetemi vetëm në Gjykatën Evropiane për të drejtat e njeriut, ne e bëjmë drejtësinë më të qasshme për të gjithë qytetarët e RMV-së.”, – u shpreh shefi i Misionit të OSBE-së, Kilian Vall.

Në Konferencën ndërkombëtare, me rastin e 60 vjetorit të Gjykatës Kushtetuese morën pjesë mbi 150 pjesëmarrës nga vendi dhe jashtë, ku u shkëmbyen përvojat e tyre në mbrojtjen e Kushtetutës.