Maqedonia me jetëgjatësinë më të shkurtër në rajon
Sipas të dhënave për jetëgjatësinë të publikuara nga Eurostat për vitin 2022, Maqedonia e Veriut, ka jetëgjatësinë më të shkurtër në rajon, shkruan Alsat.
Në vend, jetëgjatësa është 73.2 vjet, derisa nga rajoni moshën më të lartë të jetëgjatësisë e ka Shqipëria me 79.1.
Pas Shqipërisë, vjen Kroacia me 77.7 vjet, Serbia 75.2 vjet, Mali i Zi 73.8 vjet.
Në Bashkimin Evropian mesatarja e jetëgjatësisë arriti në 80.6 vjet në 2022 me 0.5 vjet më shumë nga viti 2021. Gjatë dy dekadave, që nga viti 2002, vlera më e lartë u regjistrua në vitin 2019 kur jetëgjatësia në lindje arriti në 81.3 vjet. Në vitin 2022, jetëgjatësia në lindje në BE u rrit, por nuk arriti vlerën e vitit 2019.
Në të gjithë Evropën statistikat tregojnë se gratë jetojnë më shumë se burrat. Nëse i krahasojmë sipas shteteve më gjatë njerëzit jetojnë në Lihtenshtajn, pasuar më tej nga Zvicra dhe Spanja. Ndërsa nëse ndalemi sipas rajoneve, jetëgjatësinë më të lartë në lindje e regjistron rajoni spanjoll i Comunidad de Madrid (85.2 vjet), i ndjekur nga Provincia Autonoma di Trento në Itali (84.4 vjet), Ile de France në Francë (84.1 vjet), Stokholmi në Suedi ( 84.0 vjeç), dhe Comunidad Foral de Navarra në Spanjë (83.9 vjet).