Tre burra i kanë rrahur dy gra me drunj dhe me gypa hekuri
Prokuroria Themelore Publike në Koçan ka iniciuar procedurë kundër tre personave nga fshati Trsino, të cilët dyshohen se kanë rrezikuar sigurinë e një grupi dhe kanë kryer dhunë të rëndë ndaj dy femrave dhe u kanë shkaktuar lëndime fizike.
Përderisa viktimat ndodheshin në oborrin e shtëpisë së tyre, të tre burrat kërcyen mbi gardhin e oborrit dhe u drejtuan drejt tyre duke mbajtur në duar sende të forta – dru dhe tuba, transmeton Lideri.mk. Gratë janë fshehur në një objekt ndihmës, por të dyshuarit i kanë tërhequr zvarrë dhe kanë filluar t’i godasin, duke u shkaktuar lëndime fizike dhe kanë shkaktuar ndjenjën e frikës tek një grua tjetër dëshmitare e ngjarjes.
Në këtë mënyrë të dyshuarit kanë kryer vepër penale – Dhunë nga neni 386 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Sipas informacioneve fillestare, shkak i dhunës ka qenë prishja e marrëdhënieve afatgjatë mes dy familjeve në fshat dhe gjatë privimit të lirisë të dyshuarit kanë vazhduar të kërcënojnë me vrasje, transmeton Lideri.mk.
Duke e konsideruar rrezikun që të dyshuarit ta përsërisin veprën ose të kryejnë vepër tjetër me të cilën kërcënohen, si dhe rrezikun e arratisjes, prokurori publik ka paraqitur propozim në Gjykatën Themelore në Vinicë për caktimin e masës së paraburgimit.
Gjykata e pranoi propozimin dhe ndaj të gjithë të dyshuarve caktoi masën e paraburgimit./Lideri