Vdeq lideri i degës së Al-Kaedës në Jemen
Dega e Al-Kaedës në Jemen (AQAP) ka njoftuar së fundmi për vdekjen e liderit të saj, Khalid Batarfi, rrethanat e vdekjes së të cilit mbeten të paqarta.
Batarfi si shtetas saudit u bë udhëheqës i organizatës terroriste që nga viti 2020.
SHBA-ja e shpalli atë terrorist global në vitin 2018, dhe që atëherë ka vendosur një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për kokën e tij, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Edhe pse AQAP nuk ka ofruar detaje rreth vdekjes së tij, analistja Mina al-Lami, e përshkroi atë si një person “të cilin e mori Zoti”, frazë kjo e cila përdoret për të përshkruar një person që ndërron jetë dhe jo dikë që vritet.
Bëhet e ditur se shefi i ri i grupit terrorist është zgjedhur Saad bin Atef al-Awlaki.
AQAP dikur konsiderohej nga SHBA-ja si dega rajonale më aktive dhe më e rrezikshme e Al-Kaedës.
Ajo kreu një seri sulmesh vdekjeprurëse në Jemen dhe Arabinë Saudite, si dhe komplote që synonin SHBA-në, por nuk rezultuan të suksesshme.
Grupi gjithashtu pretendoi se qëndronte pas sulmeve terroriste të vitit 2015 në Francë në të cilat u vranë 17 persona, si dhe një sulm në SHBA në vitin 2019 që la tre të vdekur.
Ekspertët e OKB-së vlerësuan se AQAP vazhdonte të mbetej kërcënim për Jemenin dhe rajonin, por ajo po përballej me “pengesa dhe humbje lidershipi”.
Edhe pse numri i saktë i luftëtarëve të organizatës është vështirë të matet pasi janë të përfshirë brenda fiseve lokale, thuhet të jenë me mijëra.
Shumica e udhëheqësve besohet se ishin në zonën Wadi Ubaydah, në provincën e Maribit, provincën Hadramawt, në Shabwa, dhe Abyan.