Në kopshte edhe sot u pranuan fëmijë të pavaksinuar
Prindërit e fëmijëve që nuk janë vaksinuar plotësisht me vaksinën di-te-per ose nuk janë vaksinuar fare janë në pasiguri, nëse fëmija i tyre do të pranohet apo jo në kopsht. Ndalimi dhe kontrolli vlen edhe për kopshtet private. Drejtorët e disa kopshteve në kryeqytet, me të cilët kontaktuam, thanë se pa vendim nga Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor për ndalimin e pranimit të fëmijëve që nuk janë të imunizuar plotësisht, nuk mund t’i kthejnë prapë.
Prindërit e anketuar, të cilët thonë se ndonëse kanë sjell karta vaksinimi gjatë regjistrimit të fëmijëve, herën e fundit kanë kërkuar sërish kopje dhe i kanë dorëzuar në kopsht.
“Dozën e parë të vaksinës e ka marrë, tash pritet edhe tjerat t’i merr për shkak të problemeve shëndetësore që i ka pasur fëmija.”, – tha një prind.
“Po na kërkojnë kartela të vaksinimit.”, – tha një prind tjetër.
“Nuk frikësohemi! Fëmijën e kam të vaksinuar, besoj që kanë efekt vaksinat.”, – u shpreh një prind.
Ministri i Shëndetësisë Ilir Demiri tha se po bëhen mbikëqyrje të përforcuara dhe ndalesë për pranim në çerdhe të fëmijëve të pavaksinuar dhe pjesërisht të vaksinuar ka edhe në qytetet tjera të vendit.
“Unë e di se çfarë është rekomandimi i Komisionit për Sëmundje Infektive dhe e di cili është rekomandimi im, zyrtarizimi me dokument është nga dita e sotme, por ne nuk funksionojmë vetëm me urdhrat e dhëna me shkrim. Unë kam pasur edhe deklarata publike se ata fëmijë duhet të kthehen që nuk janë të vaksinuar.”, – deklaroi ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri.
Nga Inspektorati Sanitar Shëndetësor thonë se inspektorët janë në terren dhe çdo kopsht i fëmijëve do të marrë vendim.
“Nga dita e sotme kemi filluar me inspektime të jashtëzakonshme. Të gjitha kopshtet do të marrin vendim për ndalim të atyre fëmijëve që nuk janë të vaksinuar me asnjë vaksinë ose pjesërisht të vaksinuar. Fëmijët që janë të vaksinuar normalisht do të vazhdojnë në çerdhe. Gjatë ditës së nesërme do të kemi informacione për gjendjen nëpër kopshte.”, thanë nga Inspektorati Sanitar Shëndetësor për TVM2.
Në të njëjtën kohë po rritet edhe numri i personave që vuajnë nga kolla e mirë – tregojnë të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik. Nga data 1 mars deri më 7 mars janë raportuar 50 raste të reja. Numri më i madh i pacientëve janë nga kryeqyteti.