Shënohet 81 vjetori i Holokaustit, rikujtohet fati i hebrenjve të dëbuar nga RMV-ja
81 vjet më parë, 7,144 hebrenj maqedonas nga Shtipi, Manastiri dhe Shkupi u deportuan në kampin e vdekjes – “Treblinka”, ku u vranë në mënyrën më brutale. Në aktivitetin qendror përkujtimor para Monumentit të hebrenjve të dëbuar nga vendi në Monopole të Shkupit, fjalim mbajti kryeministri teknik, Talat Xhaferi. Ai tha se nuk janë këtu për të hapur plagë nga e kaluara e dhimbshme, por për të dërguar mesazhin që diçka e tillë të mos ndodhë më kurrë.
“Por ne nuk jemi këtu sot për të hapur plagë nga e kaluara e dhimbshme dhe e errët, por për të dërguar një mesazh të fortë dhe të qartë, që kujtimet e Holokaustit t’i ruajmë nga harresa, që një nga të këqijat më të mëdha të mos ndodhë më kurrë njerëzimit.”, – deklaroi kryeministri teknik, Talat Xhaferi.
Ambasadorja e Izraelit, Simona Frankel, theksoi se përkujtimi i dëbimit të komunitetit hebre në vend në kampet naziste këtë vit ka një kuptim të ri dhe të dhimbshëm për Izraelin dhe tha se ajo nuk dëshiron të krahasojë “Holokaustin me masakra e 7 tetorit”.
“Duke qëndruar para jush, dua t’ju kujtoj se 1,304 persona mbahen ende peng nga Hamasi, mes tyre shumë të rritur dhe të rinj, gra dhe fëmijë të vegjël. Ne bëjmë thirrje që kjo të ndalet menjëherë. Nuk do të doja ta krahasoja Holokaustin me masakrën e 7 tetorit. E para është tragjedia më e madhe në historinë moderne evropiane, e dyta është dita më e keqe në Izrael që nga ekzistenca e shtetit.”, – theksoi ambasadorja e Izraelit, Simona Frankel.
Pas fjalimeve, deputetë e ambasadorë vendosën lule për të nderuar 7,144 hebrenj maqedonas.