Maqedoni

Dokumentet personale, letërnjoftimet jepen sipas vendbanimit

Shërbimi postar i policisë ka përfunduar dhe duke filluar nga sot, qytetarët do të duhet që vet të drejtohen tek Stacioni Policor në komunën ku banon vet qytetari dhe ta tërheqë letërnjoftimin, ndërsa për lejet e vozitjes dhe pasaportat mbetet akoma rregulla e vjetër, që qytetari do të duhet të njëjtën ta tërheq në vendin ku është bërë fotografimi apo aplikimi, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ministria e Punëve të Brendshme beson se mënyra e re e dorëzimit do të ketë rezultate pozitive dhe do të reduktojë turmat tek qytetarët.

“Qytetarët e Shkupit munden që lirisht të drejtohen tek stacioni policor në vendbanimin ku jetojnë dhe të shkojnë ta tërheqin letërnjoftimin, pra po flas për letërnjoftimet të cilat janë të përgatitura. Kuptohet se për dokumentet tjera, siç janë pasaportat dhe lejet e vozitjes, mbetet rregulla e vjetër që do të duhet të drejtohen tek objekti ku janë fotografuar. Sa i përket qyteteve tjera, nuk kemi asnjë problem dhe rregullisht po lëshohen dokumentet në drejtim të qytetarëve dhe çdo problem që lajmërohet siç ishte rasti në qytetin e Velesit, ato zgjidhen me intervenimet e ekipeve tona.”, – deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski.

Por si duket qytetarët të cilët kanë filluar që letërnjoftimet ti tërheqin në Stacionet Policore ku banojnë janë të kënaqur, dhe nuk po hasin në rrëmujën e qytetarëve.

“Menjëherë e kam tërheq, pa asnjë problem. Janë të organizuar dhe shumë shpejtë mbarova punë.”, – tha një qytetar.

“Kam mbaruar punë sot shumë shpejtë, fillimisht e prita në shtëpi mos po ma sjellin, por pastaj tre herë jam drejtuar tek stacioni policor, por nuk ishte gati dhe sot kur erdha për herën e katër ishte gati. Ndërsa aplikimin e kamë bërë më 22 dhjetor.”, – tha një qytetare.

“Erdha të shoh dokumenti a është gati më herët, ndërsa aplikimi është bërë me datë 13 muajin e kaluar dhe e pashë se nuk ishte gati. Më thanë se duhet të vij pas datës 13.”, – u shpreh një qytetar.

Ka shumë qytetarë që akoma nuk kanë arritur të marrin termin për ndryshimin e dokumenteve personale, por nga MPB-ja bëjnë me dije se tani linja telefonike është shumë më pak e zënë dhe se terminet, të cilat qytetarëve u janë caktuar për muajin qershor apo korrik, po ju ricaktohen për në muajin prill. Po ashtu nga MPB-ja bëjnë me dije se formularët në dispozicion janë të mjaftueshëm deri në fillim të majit, por pritet që së shpejti të vijnë edhe të reja për të vazhduar dinamikën e dhënies së pasaportave. Sipas informacioneve të fundit zyrtare, thuhet se nevojitet lëshimi edhe i afër një milion pasaportave.