Asgjë nga kompania e Lazim Destanit për makinat elektrike “e.GO”, anulohet marrëveshja
Një projekt i promovuar me pompozitet në zonën e lirë ekonomike në Tetovë për prodhimin e makinave elektrike, mbetet vetëm histori dhe nuk do të realizohet. Bëhej fjalë për kompaninë e familjes së Lazim Destani e cila kishte planifikuar që të ndërtoj fabrikën për prodhimin e makinave elektrike e.Go.
Por, këto ditë është prishur kontrata, pasi që kompania investitore (Next.e.Go Mobile), që ishte promotore dhe duhej të realizonte projektin është në një fazë të falimentimit në Gjermani, përcjell INA.
“Pezullimi i dhënies së ndihmës shtetërore vjen pas marrjes së informacionit në dispozicion të publikut për kërkesën e paraqitur për falimentimin e kompanisë “nënë” në Gjermani.
Kërkesa është dorëzuar në gjykatat kompetente në këtë vend. Me këtë Drejtoria për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale – TIRZ, si përfaqësuese e Qeverisë, aktivizon mekanizmat mbrojtës në kontratën e nënshkruar, të cilat parashikojnë edhe këto rrethana (falimentim, likuidim), si parakusht për ndalimin e dhënies së ndihmës shtetërore”, thonë nga Drejtoria e TIRZ.
Ata theksojnë se përkundër kërkesave të parashtruara nga investitori, deri më tani nuk janë ndarë mjete për kompaninë.
Kompania e.GO është dashur të ndërtojë një fabrikë për vetura elektrike në zonën teknologjiko-industriale në Tetovë.
Heshtje në kompaninë Ecolog të familjes Destani nga Tetova, derisa Qeveria edhe më parë përmes një deklarate nga ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski kishte bërë të qartë se nuk ka ndihmë shtetërore nëse nuk ka aktivitete të nisura konkrete.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar ndihmën shtetërore prej 42.5 milionë euro për investitorin gjerman Next.e.Go Mobile e që në fakt bëhet fjalë për biznesin e filantropit shqiptar Lazim Destani.
Investimi ka të bëj me prodhimin e makinave elektrike e.GO, një investim që kap shumën 130 milionë euro. Kjo e dhënë bëhet e ditur sipas raportit të Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës për vitin 2022.
Prodhuesi i makinave elektrike e.GO nuk kishte filluar asgjë në ndërtimin aktiv të fabrikës së paralajmëruar në zonën industriale në Tetovë.
Gurthemeli i fabrikës u vendos më 13 gusht 2022, në përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit. Sipas asaj që u paralajmërua, pritet hapja e 900 vendeve të reja të punës.(INA)