Maqedoni

Tre qytete në vend pa virus

Sipas të dhënave të djeshme nga Instituti i Shëndetit Publik, tre qytete në vend – Demir Kapia, Pehçeva dhe Dojrani, nuk kanë një rast të vetëm aktiv të Kovid-19, ndërsa në Dibër dhe Vallandovë ka vetëm nga një.

Numri i personave të cilët deri më tani kanë shprehur dëshirë për vaksinim përmes ueb platformës vakcinacija.mk është 436.072 qytetarë, informojnë nga Ministria e Shëndetësisë.

Në shtet gjithsej janë aplikuar 346.931 doza të aksinave, ndërsa janë rivaksinuar 107.648 qytetarë.

Dozën e parë të vaksinës gjatë ditës së djeshme e kanë marrë 1.995 qytetarë, ndërsa gjithsej janë vaksinuar 15.155 qytetarë.

“Vaksinimi po zbatohet në pajtim me Planin kombëtar për imunizim. Vaksinohen personat e rritur, qytetarë të cilët kanë shfaqur interes për vaksinim në eub faqen vakcinacija.mk, ndërsa vaksinohen edhe të punësuar në infrastrukturën kritike”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Vaksinimi masiv po zhvillohet në disa qytete në shtet edhe atë në A1 Arenën QS “Boris Trajkovski” në Shkup, në sallat sportive në Kavadar, Kumanovë, Tetovë, Shtip, Manastir, Strumicë, Ohër, Veles dhe Prilep.

Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Maqedonisë të Veriut është kyçur në rrjetin “CommonTrust” për lëshimin e certifikatave digjitale shëndetësore përmes aplikacionit të ri “CommonPass”, i cili do të rrisë mundësitë që qytetarët të marrin certifikatë digjitale shëndetësore në përputhje me standardin global “Smart Health Card”.