PDK reagon ndaj bastisjeve të Speciales
Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj bastisjeve të fundit nga Dhomat e Specializuara, me ç’rast të premten iu konfiskua telefoni i nënkryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku. Përparim Gruda, nga kjo parti i quajti spektakël bastisjet duke shtuar se kjo fushatë e përndjekjes duhet të ndalohet. Gjykata Speciale këtë javë kreu bastisje në shtëpinë e ish-eprorit të UÇK-së, Sylejman Selimi, kontaktoi ish-zëvendës kryeministrin Hajredin Kuçi dhe ia konfiskoi telefonin ish-komandantin të UÇK-së, Sami Lushtaku.
“Shqetësuese bastisjet dhe ndalimet e ish-zyrtarëve shtetërorë dhe të partisë, Sami Lushtaku Sylejman Selimi e Hajredin Kuçi. Kjo fushatë e përndjekjes shpërfaq dështimin e DhSK-së për të argumentuar me pretendimet e tyre në akuza, gjatë seancave gjyqësore. PDK kërkon që të ndalet kjo fushatë e përndjekjes dhe t’i kthehen punës së tyre brenda mandatit të cilin ua ka dhënë Kuvendi i Republikës së Kosovës.”, është shprehur Koordinatori për Drejtësi në Kabinetin e Qeverisjes së Mirë të PDK-së, Përparim Gruda.