Demiri nënshkruan rekomandimet e KSI-së, nga e hëna inspektorati do të dalë në terren
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri, ka nënshkruar rekomandimet e Komisionit të Sëmundjeve Infektive për parandalimin e përhapjes së kollës së mirë. Ky vendim do të zbatohet nga data 14 mars. Me këtë obligohet Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor të bëjë kontrolle të jashtëzakonshme dhe të ndalojë pranimin e fëmijëve të pavaksinuar në institucionet parashkollore.
“Ndalohet pranimi dhe qëndrimi në çerdhe në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, i fëmijëve të pavaksinuar ose jo të vaksinuar plotësisht me vaksinën DiTePer, sipas moshës në kalendarin e imunizimit. Obligohet Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor që të bëjë kontrolle të jashtëzakonshme në kopshtet e fëmijëve në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të kontrollojë zbatimin e masës nga pika 1, paragrafi 1 i këtij vendimi.”.
Vendimi i Ministrisë të Shëndetësisë ka arritur edhe te Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor. Nga atje informojnë se me inspektimet e jashtëzakonshme do të startojnë të hënën.
“Inspektimet e jashtëzakonshme do të nisin të hënën, më datë 11 mars të vitit 2024, me vendimin për ndalimin e pranimit të fëmijëve që nuk janë të imunizuar me DTP ose janë të imunizuar jo plotësisht me DTP, si dhe masa të tjera të urdhëruara epidemike. Gjithashtu, nga personat përgjegjës në institucionet parashkollore do të kërkohet të përgatisin listën e të gjithë fëmijëve të pavaksinuar me DTP. Fëmijët me sëmundje të tjera infektive nuk duhet të pranohen dhe për çdo mungesë të shtuar duhet të njoftohet Qendra për Shëndet Publik Shkup.”, njoftojnë nga Inspektorati.
Pas shpalljes së epidemisë së kollës së mirë në qytetin e Shkupit, deri më tani janë vaksinuar mbi 22 mijë persona. Për t’ua lehtësuar prindërve imunizimin e fëmijëve, pikat e vaksinimit punojnë me dy turne.