Ukrainë, Zelenski dhe Mitsotakis, dëshmitarë të sulmit në Odesa
Sulme fatale ruse në Odesa gjatë vizitës së presidentit Zelenski dhe kryeministrit grek, Mitsotakis, në qytetin bregdetar jugor. Askush nga të dy delegacionet nuk është plagosur, por është raportuar se janë vrarë të paktën pesë persona, njofton Mbrojtja Ukrainase. Zelenski ka dënuar sulmin, duke e akuzuar Rusinë se nuk ka kontroll mbi vendin ku kërkon të godasë ushtria e tyre.
“Shihni me kë kemi të bëjmë, nuk u intereson ku godasin. Ka viktima dhe të plagosur. Kjo është një luftë për mbijetesë, nëse nuk e mbrojmë veten, nuk do të mbijetojmë.”, – deklaroi presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski.
Është vërtet ndryshe, komentoi kryeministri grek. Është një gjë të lexosh për luftën dhe tjetër gjë ta shohësh dhe ta dëgjosh me sytë dhe veshët e tu, thotë Mitsotakis.
“Ne ishim duke bërë një xhiro në qytet kur dëgjuam sirena, pak më pas dhe një shpërthim. Ky është kujtimi më i gjallë se këtu po zhvillohet një luftë e vërtetë. Çdo ditë ajo prek jo vetëm vijën e frontit, por edhe civilët e pafajshëm.”, – theksoi kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.
Moska tha se kishte shkatërruar me sukses një hangar drone të marinës ukrainase, pa specifikuar nëse po i referohej të njëjtave shpërthime të cilave u referuan të dy udhëheqësit. “Objektivi është arritur, objektivi është goditur.”, qëndron në komunikatën e Ministrisë Ruse. Departamenti dënoi veprimin e Kremlinit.
“Sulmi është një tjetër kujtesë se si Rusia vazhdon të sulmojë Ukrainën çdo ditë dhe se ajo ka nevojë urgjente për interceptorët e mbrojtjes ajrore. Kjo është një kujtesë se Kongresi duhet të ndërmarrë veprime, siç i kemi kërkuar ne të bëjnë, për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.”, – u shpreh zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Metju Miller.
Një reagim ndaj veprimit të fundit rus ka ardhur edhe nga kreu i Komisionit Evropian. Ajo shkoi në rrjetet sociale për të dënuar ashpër atë që ajo e quajti sulmin e poshtër gjatë vizitës së liderëve.