“Kur bëhet fjalë për para, serbët s’njohin nacionalitet” (VIDEO)
Muaj më parë, të gjithë zyrtarët e komunitetit serb hoqën dorë nga puna në insitucionet publike në komunat e veriut të Kosovës.
Por, tashmë si duket këta të fundit dalëngadalë kanë nisur të rikthehen. Kësaj radhe si punëtorë, të cilët komunat i kanë angazhuar përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta, apo siç njihen ndryshe, kontrata mbi vepër.
Kështu ka ndodhur edhe në Komunën e Zubin Potokut, konkretisht në Zyrën Lokale për Komunitete në Çabër.
Sipas burimeve të Kiks Kosovës, kryetari i kësaj komune, Izmir Zeqiri ka punësuar 100 punëtorë me kontratë mbi vepër, informacion ky që u konfirmua edhe nga vetë kryetari.
Megjithatë, Zeqiri nuk ka pranuar të japë asnjë detaj për mënyrën se si këta të fundit janë punësuar dhe se si po paguhen, derisa nga ana tjetër, ata ende nuk ia kanë filluar punës.
Sipas aktivistes së shoqërisë civile, Neri Ferizi, krejt këto punësime po ndodhin, me qëllim të shfrytëzimit “të ditëve të fundit” sa kryetarët e veriut janë në pushtet. Sipas saj, kur bëhet fjala për para, qytetarëve serbë nuk ju intereson fare situata.
Nga ana tjetër, Ferizi thotë se Zubin Potoku është komunë e vogël për të punësuar një numër kaq të madh të punëtorëve me kontratë mbi vepër, e këtë ajo e quan të panevojshme.
Nga Iniciativa për Progres, të cilët monitrojnë qeverisjet lokale, kanë thënë se punësimet me kontrata mbi vepër rregullohen me Ligjin për Zyrtarët Publik dhe Ligjin për Prokurim Publik.
Sipas tyre, këta persona punësohen në raste kur ka mungesë të zyrtarëve kompetent për të kryer shërbime në interes të komunës.