Maqedoni

Parandalimi i korrupsionit kufitar, doganierët t’i nënshtrohen poligrafit

Përmes debateve publike do të jepen këshilla dhe rekomandime për të parandaluar korrupsionin nëpër pikat kufitare. Për këtë qëllim gjatë këtij muaji dhe muajin prill, në vend do të organizohen një sërë debatesh në temë: “Përcaktimi i integritetit i të gjithë punonjësve kufitar dhe parandalimi i korrupsionit në dogana”.

“Për të parandaluar korrupsionin në pikat kufitare, Këshilli Kombëtar do të hapë një debat publik. Është planifikuar që të ketë pesë sesione në të cilat do të përfshihen ekspertë, profesorë të shkencave juridike, shoqata të transportuesve të autobusëve, oda ekonomike, sektorë joqeveritar, faktorë nga bashkësia ndërkombëtare dhe përfaqësues të partive politike, pas së cilës do të bëhet një raport dhe do të dorëzohet në Kuvend.”, – deklaroi koordinatori kombëtar për Menaxhim Kufitar, Vlladimir Pivovarov.

E vetmja mënyrë për të parandaluar, zgjidhur dhe sanksionuar në kohë korrupsionin nëpër pikat kufitare, është përmes përdorimit të poligrafit si instrument për të përcaktuar integritetin e të gjithë punonjësve kufitar, thotë koordinatori kombëtar për Menaxhim Kufitar, Vlladimir Pivovarov.

“Nëse jemi gati si shtet, le ta zbatojmë projektin për poligrafimin e punonjësve nëpër pikat kufitare. Vlerësojmë se nuk do të ishte mirë që poligrafët të ishin nën ombrellën e institucioneve ku punojnë, sepse do të ishin nën presionin e udhëheqësve. Për atë arsye, planifikojmë të shmangim çdo mundësi të ndikimit dhe për herë të parë në vendin tonë të kemi një proces të ndershëm dhe profesional që do të zgjidhte korrupsionin përgjatë pikave kufitare, sepse është kërcënimi më i madh në vendin tonë.”, – theksoi koordinatori kombëtar për Menaxhim Kufitar, Vlladimir Pivovarov.

Pivovarov u shpreh i gatshëm që të jetë i pari, i cili do t’i nënshtrohet poligrafit nëpërmjet të cilit do të përcaktohet integriteti i tij. Nëse në këtë mënyrë do të fillonte “lufta” kundër korrupsionit doganor dhe ekonomisë gri, në buxhetin e shtetit do të inkasoheshin miliarda euro, vlerëson Pivovarov.