Besarta Jashari: Ademi e Hamza janë dhe do të mbeten në zemrat e gjithë shqiptarëve
Është mbajtur sot akademia përkujtimore për shënimin e 26 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
E pranishme në akademi ishte edhe Besarta Jashari, vajza e Hamëz Jasharit e mbijetuara e vetme nga sulmet e ushtrisë serbe me 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në Kullat e Jasharajve.
Në fjalën e saj të rastit, Besarta ka ndarë me të pranishmit copëza historie të familjes Jashari dhe fragmente nga përjetimi i saj përgjatë tri ditëve të lavdisë kombëtare.
“Krahas burrave, ishin edhe grat e tyre që gjithmonë kanë qenë përkrah tyre. Nëna Zahidja, Zarifja, Nëna Feride dhe Adifja. Këto i kemi shembuj edhe sot për sakrificën dhe përkushtimin për familjen, mbështetjen që treguan për burrat e tyre”, tha Besarta.
Besarta tha se darkën e fundit si familje e patën më 6 mars të vitit 1998.
Lexo më shumë Presidentja Osmani: Krenaria jonë kombëtare është Ushtria Çlirimtare – Epopeja e UÇK-së (Video)
“6 mars 1998 si sot, nëna Feridja e nxori bukën nga furra dhe filloi të na ndante të gjithëve nga një copë, mbajë mend se shumica ishin gjallë dhe ishte hera e fundit që hëngrëm darkë në atë shtëpi. Në atë darkë nuk e di si kemi ngrënë, nuk e di çka kemi folur, apo kemi folur gjatë. 7 mars të vitit 1998, ditë e shtunë nga baba Shaban dhe babushi nuk kishim informacion, por këngën e babushit nuk e dëgjoja më, dikur edhe bali Adem u vra. Tankat e armikut u afruan shtëpisë, predhat e tankave shpërthyen muret e dhomës ku ishim, duke lënë të plagosur Hidajetin, Kushtrimin dhe Blerinën ndërsa unë nuk kisha asnjë plagë, të gjithë të tjetër mbetëm të vdekur”, ka thënë Besarta.
Ajo tha se posa kishte dalë kishte hasë në dy ushtarë serbë që kishin shtënë në drejtim të saj.
Lexo më shumë Kryeministri Kurti: Adem Jashari është emri i përveçëm i njeriut me të cilën mund t’i referohemi lirisë sonë
“U ktheva nga hyrja e shtëpisë. Kur mbërrita te Hidajeti dhe Blerina nuk e gjeta Kushtrimin, i cili sipas Hidajetes kishte ardh pas meje dhe ishte vrarë duke luftuar. Blerina më kërkoi ujë, në momentin që u ngrita t’i marrë ujë, armiqtë kishin filluar të gjuanin bomba dore, duke vrarë edhe Hidajetin dhe Blerinën”, tha ajo.
“Pasi më morën nga shtëpia ecëm drejt fambrikës së municioneve, ata flisnin unë nuk i kuptoja, derisa erdhi edhe një ushtar armik që dinte shqip, ata më pyetën: ‘Ku është Ademi dhe Hamza?’. Sot, e di se si do të duhej përgjigjur, Ademi e Hamza janë dhe do të mbeten në zemrat e gjithë shqiptarëve”, ka thënë Besarta.