Më 15 mars priten vaksinat kundër kollës së madhe për të rritur
Komisioni për sëmundje ngjitëse pas mbledhjes së sotme rekomandoi që të rritet mbikëqyrja inspektuese e Inspektoratit Shtetëror Sanitar Shëndetësor në kopshte, për të parë nëse respektohet rekomandimi i Komisionit, që të mos pranohen fëmijët e pavaksinuar.
Ndryshe, pas 10 ditëve pritet të sigurohen edhe vaksinat për të rritur nga ana e Komitetit për imunizim.
“KSI vendosi që të sjell rekomandim që në pikat për vaksinim evidenca dixhitale që mbahet të jetë e detyrueshme, me qëllim që të kemi një pasqyrë më reale për të dhënat e fëmijëve që vaksinohen. Në lidhje me masat tjera që janë shikuar u bisedua edhe për atë se a ka përfunduar ose deri ku është prokurimi i vaksinave për të rritur, e dini se Komisioni ka sjellë rekomandim për vaksinim edhe të të rriturve”, tha Zllate Mehmedovis – zëdhënës KSI.
Drejtori i Klinikës Infektive, doktor Fadil Cana, tha se nga 1 janari e deri më sot në Klinikë janë kontrolluar dhe konfirmuar për kollë të mirë 12 persona. Ai apelon që të mbrohen fëmijët, meqë siç thotë ata janë më senzitiv ndaj kësaj sëmundjeje.
“Kjo iniciativë e KSI është që të mbrohet grupa e cënueshme nga pertusis, e ato janë fëmijët nën dy vjet. Kështu që ajo që mund të them për Klinikën infektive është se gjithsej nga fillimi i këtij viti janë konstatuar 12 raste dhe një rast dje, i cili është i dyshimtë dhe presim rezultat”, u shpreh Cana.
Deri më sot janë regjistruar 123 raste të kollës së mirë në gjithë vendin, prej të cilave 109 janë në Shkup.
E nga 18 janari deri më 29 shkurt, në pikat për vaksinim në Shkup të cilat punojnë në dy ndërrime, janë aplikuar gjithsej 22.395 vaksina.