Rajon - Botë

Shpëtohen 63 emigrantë në veri të Francës

Shërbimet franceze shpëtuan 63 emigrantë pranë Gravelin, në veri të vendit, ku varka e tyre u përball me vështirësi. Ekipet e shpëtimit ndërhynë mbrëmjen e së hënës dhe emigrantët u transferuan në Calais mëngjesin e sotëm. Njoftimi i prefekturës La Manche bën të ditur se operacioni i shpëtimit u krye me sukses.

Javën e kaluar, një person vdiq në La Manche dhe dy u zhdukën ndërsa përpiqeshin të kalonin kanalin.

Prefektura thotë se Kanali anglez është një nga zonat më të ngarkuara në botë, me më shumë se 600 anije tregtare në ditë dhe shpesh me kushte të rënda atmosferike. Kjo zonë detare është veçanërisht e rrezikshme, edhe kur deti duket i qetë, paralajmëron prefektura.