Marrëveshjet kolektive në arsimin e lartë, pesë universitete kërkojnë drejtësi
Pesë universitetet publike në vend protestojnë për mosnënshkrimin e Marrëveshjes Kolektive nga ana e Kuvendit të RVM-së dhe të diskriminimit të theksuar në raport me Universitetin “Cirili dhe Metodi”, pagat e të cilëve nga ky muaj do të rriten për 22%. Nga Sindikata pranë UNT-së, por edhe profesorët theksojnë se protestojnë për kthimin e dinjitetit, integritetit dhe drejtësisë së shkelur e nëpërkëmbur nga ana e organeve kompetente vendimmarrëse.
Mosnënshkrimi i Marrëveshjes kolektive nga ana e Kuvendit, për Universitetin shtetëror “Nënë Tereza” paraqet akt diskriminues dhe injorues. Sipas tyre, nëse edhe më tutje vazhdon ky qëndrim, ata do të jenë të detyruar të ndërmarrin veprime të tjera.
“Kemi sinjale nga Kuvendi se është duke u vënë në lëvizje një ligj përmes së cilit do të realizohet kjo kërkesë e jona me procedurë të përshpejtuar, por ne pa e parë në veprim nuk mund të themi asgjë se a të ndalemi apo të vazhdojmë me veprimin tonë. Nëse injorohemi, ne do të vazhdojmë me grevë, edhe atë para Kuvendit të RVM-së.”, – deklaroi Avni Avdija nga Sindikata e Universitetit “Nënë Tereza”.
“Nuk ka pse një universitet shtetëror të jetë më i privilegjuar nga të tjerët, prandaj mendojmë se është tejet diskriminuese, madje edhe nënçmuese për ne. Nga ajo që duket dhe ajo që duhet, duhet që ne të luftojmë deri në fund për ta paralajmëruar dhe për t’i thënë stop këtij diskriminimi që na bëhet neve.”, – deklaroi profesori në UNT, Murat Aliu.
“Ne jemi të revoltuar me këtë trajtim të pabarabartë, tani edhe të universiteteve të tjera publike që Qeveria e RMV-së dhe Kuvendi nuk po gjejnë mënyrë të dalin nga ky ngërç. Kjo nuk është në rregull dhe me të vërtetë joracionale kur jemi të gjithë universitete publike. Me atë është nënshkruar Marrëveshja kolektive, ndërkaq me ne po luhet ping-pong, sot-nesër do të bëhet.”, – u shpreh profesor në UNT, Sunaj Rrahimi, për TVM2.
Sindikatat e pesë universiteteve publike: Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nenë Tereza”, “Shën Klimenti i Ohrit”, “Shën Apostol Pavle” dhe “Goce Dellçev” janë dakorduar, që varësisht vendimeve të ardhshme institucionale, të ndërmarrin veprime të tjera më rigoroze.