Mos u nisni të dilni nga vendi me pasaportë të vjetër, për të ardhur merrni fletëudhëtim
Për të qenë situata më kaotike, qytetarët me muaj të tërë nuk mund të arrijnë të sigurojnë një dokument udhëtimi, pasi që terminët caktohen në afate më të gjata. Në ndërkohë, ka qytetarë të cilët jetojnë jashtë vendit, por edhe ndodhen në rrethana të ndryshme, të cilët nuk kanë kohë për të pritur aq gjatë.
Të gjendur në këso situate, qytetarët mundohen të gjejnë mënyra për të siguruar një dokument, ndërkaq të tjerët marrin rrezikun që të udhëtojnë me pasaportën që ka afat vlefshmërie, por shteti e ka shpallur të pavlefshëm.
Mos u nisni të dilni nga RMV me pasaportë me emrin e vjetër
Një prej pyetjeve më kryesore, që prej kur hyri në fuqi ndalesa e përdorimit të pasaportës me emrin e vjetër të RMV-së, ishte nëse mund të udhëtohet me pasaportat me emrin e vjetër të shtetit.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani më 21 shkurt në mënyrë decide ka theksuar se nuk lejohet të dilet nga shteti me pasaportë të vjetër. Në rast se shteti do të lejonte një gjë të tillë, do të shkelej Marrëveshja e Prespës.
“Në lidhje me dalje nga shteti, ligji jonë nuk lejon – Ligji i MPB-së. Të gjitha përpjekjet që të bëhet trysni publike për vazhdim të afatit të pasaportave janë të pandershme. E para, neni 118 i Kushtetutës thotë se marrëveshjet ndërkombëtare të cilat janë të ratifikuara në Kuvend janë pjesë e rendit juridik të brendshëm dhe nuk mund të ndryshohen me ligj. Marrëveshja e Prespës është në fuqi dhe ne e respektojmë dhe zbatojmë. Ne mund të ulemi dhe të bëjmë plane ashtu sikur ne në MPJ jemi organizuar që t’i ndihmojmë qytetarët, por nuk mund të vazhdojë afati pasi do të shkelej Kushtetuta”, tha Osmani.