Pendarovski rikandidohet për president: Kam mandat pas vetes pa asnjë gabim strategjik
Dy ditë para kongresit të LSDM-së, kur duhet të vendoset kandidati për president, Stevo Pendarovski ka shpallur kandidaturë civile edhe për një mandat për kryetar të shtetit dhe nga 3 marsi do të mbledhë 10,000 nënshkrime nga qytetarët. Pendarovski potencoi se arsyeja kryesore pse ai kandidon, është se ka një mandat pas vetes pa asnjë gabim strategjik. Ai përsëriti qëndrimet e tij të njohura se Marrëveshja Kornizë, Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë ishin përfitim për qytetarët dhe shtetin.
“Ka kandidatë që mbrojnë apo shpallin anulimin e Marrëveshjes Kornizë, Prespës dhe Bullgarisë. Marrëveshja kornizë forcoi dhe nuk cenoi kohezionin e brendshëm në Maqedoni. Kryesisht falë asaj u bëmë kandidat për anëtarësim në BE. Marrëveshja e Prespës mundësoi hyrjen në NATO dhe konfirmoi ekzistimin e gjuhës maqedonase. Marrëveshja me Bullgarinë nuk u kontestua për tre vjet dhe më pas u bë problem kur Bullgaria filloi të kërkonte arsyet e bllokadës, të cilat nuk janë në vetë marrëveshjen.”, – deklaroi kandidati për president nga LSDM-ja, Stevo Pendarovski.
Pendarovski gjithashtu tha se është kundër idesë që presidenti të zgjidhet në Kuvend.
VMRO-DPMNE kundër Pendarovskit: Është koha të shpërngulesh nga Villa Vodno
Ndaj rikandidimit të Pendarovskit sërish kanë reaguar nga VMRO-DPMNE-ja. Ata rikujtuan Pendarovskin se para katër viteve ka deklaruar se po të mos ishte president do të ishte larguar nga Maqedonia.
“Stevo Pendarovski ka pranuar se gjendja në vend është aq e keqe sa edhe ai ka menduar të largohet dhe po të mos ishte president do ta bënte. Stevo Pendarovski nëpërkëmb dinjitetin e popullit dhe të shtetit. Është koha për t’i thënë Pendarovskit, maqedonasit nuk do të largohen nga vendlindja, është koha që ai të largohet nga Vodno.”, – theksoi Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.
Vijon mbledhja e nënshkrimeve, kandidatët kanë afat deri më 8 mars
Biljana Vankovska-Cvetkovska si kandidate e së majtës dhe Stevço Jakimovski nga GROM-i janë dy kandidatët për president të vendit që janë shumë afër 10 mijë nënshkrimeve të nevojshme të qytetarëve, që zyrtarizojnë kandidaturën presidenciale.
Sipas informacioneve të fundit nga KShZ-ja, deri në orën 20 të ditës së enjte, Vankovska kishte mbledhur 9,722 nënshkrime, pra u mungojnë më pak se 300 nënshkrime, ndërsa Jakimovski 9,265 nënshkrime.
Sipas të gjitha gjasave Vankovska dhe Jakimovski janë të rradhës që do t’i bashkohen Osmanit, Taravarit dhe Dimitrievskit, të cilët tashmë kanë siguruar hyrjen në garën presidenciale.
Kandidatët e tjerë janë ende larg objektivit, por kanë edhe 7 ditë kohë për mbledhjen e nënshkrimeve.