Siljanovska-Davkova: Është koha për dimension femëror në politikë
E rrethuar nga deputetët e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova ka theksuar sot se përveç 30 firmave të deputetëve, kandidaturën e saj do ta zyrtarizojë edhe me mbledhjen e nënshkrimeve të qytetarëve. Siljanovska paralajmëroi ndryshime rrënjësore në sistem, sepse, siç thotë ajo, pa to nuk do të bëhen hapa përpara. Ajo shtoi se përkushtimi ndaj Bashkimit Evropian është vetëm retorikë nëse nuk ka standarde në çdo fushë, nga të drejtat e njeriut deri te ekonomia.
“Është koha për dimension femëror në politikë. Është koha për konsensus, pavarësisht përkatësive partiake, etnike, fetare e të tjera. Nëse ndërtojmë konsensus, dhe kjo është ajo që unë jam përpjekur të bëj këtu, do të jemi më të fortë jashtë”, tha Gordana Siljanovska Davkova – kandidate për presidente.
Nga ana tjetër, socialdemokratët konfirmuan mbështetjen për kreun aktual të shtetit, Stevo Pendarovski. Pasi emri i tij të kalojë filtrat partiak, Kongresi pritet ta ketë fjalën përfundimtare më 3 mars.
“Stevo Pendarovski përkrahet si kandidat për president i shtetit.
Kjo mbështetje e kryesisë do të gjendet edhe para organeve të partisë, Komitetit Ekzekutiv dhe atij Qendror dhe në ditët në vijim do të vijojnë takimet me partnerët tanë tradicionalë të koalicionit”, deklaroi Bogdanka Kuzeska – zëdhënëse e LSDM-së.
Nga zyra e Pendarovskit njoftuan për Alsat se opinioni do të njoftohet për procedurat javën e ardhshme. Ndërkohë në fletën e votimit për president me gjasë do të jetë edhe kryetari aktual i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski. Partia e tij “E DI” njoftoi se nga nesër do të fillojë me mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve.
“Maqedonisë i duhet baba i kombit, rojtar i identitetit dhe mbrojtës i historisë”, u shpreh Nikolla Memov – zëdhënës i “E DI”.
NGA INTERNETI
Aktivistja qytetare Mersiha Smailloviq pritet të hyjë në garën presidenciale si kandidate e partisë së Boshnjakëve. Kandidimin e ka shpallur edhe kryetari i komunës së Karposhit dhe kryetari i GROM-it, Stevçe Jakimovski. Në listë pritet të jetë edhe profesoresha Biljana Vankovska e mbështetur nga partia “E Majta”.
Afati i fundit për zyrtarizimin e kandidaturave për president është data 20 mars. /Alsat.mk