Maqedoni

Për një vit 24 vajza maqedonase janë martuar me shqiptarë

Përveç partnerëve nga bashkësia e tyre etnike, maqedonasit martohen edhe me anëtarë të komuniteteve tjera, si dhe me të huaj, shkruan Faktor.mk.

Nëse shikojmë statistikat për martesat e përziera të lidhura në vend, ato tregojnë se maqedonasit më së shpeshti lidhin martesë me persona të nacionalitetit serb. Ky trend ka vazhduar për një kohë të gjatë. Brenda një viti 41 femra maqedonase u martuan për burra serbë dhe në të njëjtin vit, 70 gra serbe u martuan me burra maqedonas.

“Maqedonasit martohen me persona të kombësisë serbe nga Maqedonia, por edhe nga Serbia fqinje. Afërsia e dy popujve, fetare, gjuhësore, territoriale, bën të veten. Më herët në Jugosllavi kemi jetuar në “vëllazërim-bashkim”, ka pasur më shumë martesa të përziera, pastaj kanë filluar konfliktet dhe gjuha e urrejtjes në baza etnike dhe janë bërë më të rralla, por nuk janë zhdukur. Kryesisht këta janë të rinj që sot jetojnë jashtë vendit. Të gjitha tendencat ndikojnë që të ketë më shumë martesa të të njëjtit besim, por unë njoh njerëz nga brezi im me martesa të përziera. Kryesisht janë me serb, por ka edhe maqedonase të martuara me turq, shqiptarë dhe jetojnë bashkë edhe sot e kësaj dite. Ne i shohim serbët si vëllezër, nuk bëjmë dallim. Kohët e fundit, ka njerëz nga brezi i ri që shkuan në Bullgari për të studiuar dhe u martuan me bullgarë”, thotë sociologia Lidija Ilievska.

Një numër i madh i martesave maqedono-serbe ka në Kumanovë, transmeton Lideri.mk, ku minoriteti serb është në numër më të madh në keahasim me komunat tjera.

“Njoh gra serbe nga Krushevci, Kragujevaci, Vranja, Presheva, Nishi, Vllasotinca, Leskovci, madje edhe nga Beogradi që janë martuar në Kumanovë. Disa janë nga brezi i vjetër dhe disa nga brezi i ri. Shumë njerëz kanë të afërm përtej kufirit, njerëzit lëvizin, komunikojnë dhe është normale që të ndodhin martesa. Ka edhe raste të kundërta kur femrat maqedonase nga vendi janë martuar në Leskovc, Beograd apo ndonjë qytet tjetër serb”, thotë një kumanovare.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave (ESSH), në vitin 2022, 24 femra maqedonase janë martuar me meshkuj shqiptarë, transmeton Lideri.mk.

Në të njëjtin vit janë bërë 20 martesa ku gruaja ishte maqedonase dhe bashkëshorti turk. Në vitin 2022, 9 femra maqedonase u martuan me rom, 5 me burra të kombësisë vllahe. Në vitin 2022 ka pesë martesa mes një nuseje maqedonase dhe një dhëndëri boshnjak.

Në të njëjtin vit, 30 femra shqiptare u martuan me maqedonas, 17 femra turke u martuan me maqedonas, 7 femra rome u martuan me maqedonas. Pastaj, shtatë gra vllehe u martuan me maqedonas në vitin 2022 dhe 8 gra boshnjake u martuan me bashkëshortë të kombësisë maqedonase./Lideri