Rajon - Botë

BE paralajmëron “katastrofë humanitare” në Rafah

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock ka paralajmëruar me ngulm nga një ofensivë izraelite në Rafah, në jug të Rripit të Gazës duke sjellë në mendje vuajtjen e civilëve.

Baerbock ka bërë të ditur edhe një udhëtim të ri në Izrael javën e ardhshme. “Një ofensivë e ushtrisë izraelite në Rafah do të ishte një katastrofë humanitare me shpallje”, ka shkruar politikanja e Gjelbër në shërbimin e mesazheve, X.

“Njerëzit në Gaza nuk mund të shkrihen në ajër.” Ministrja e Jashtme gjermane kujtoi, se që tani vuajtja në Rafah është e papërfytyrueshme dhe aty 1,3 milionë vetë kërkojnë mbrojtje nga luftimet në Rripin e Gazës. Baerbock theksoi, se Izraeli duhet të mbrohet ndaj terrorit të Hamasit, por duhet të zbusë në masën më të madhe të mundshme vuajtjen e popullsisë. Baerbock ka theksuar edhe njëherë ndalimin e luftimeve që të lirohen pengje të tjerë. “Këtë do ta diskutoj në Izrael javën e ardhshme”, ka thënë Baerbock.

Edhe i ngarkuari i BE për politikën e Jashtme, Josep Borrell ka paralajmëruar nga një “katastrofë humanitare”. “I bashkohem paralajmërimeve të disa vendeve anëtare”, deklaroi Borrell në shërbimin X. “Një ofensivë izraelite në Rafah do të sillte një katastrofë të papërshkrueshme humanitare.” Borrell paralajmëroi, se kjo do të shkaktonte “tensione të forta me Egjiptin”. Borrell ka shtuar më tej se “rifillimi i bisedimeve për lirimin e pengjeve dhe një ndalim i armiqësive janë mjeti i vetëm për të penguar masakrën.”

Edhe Arabia Saudite ka paralajmëruar nga një ofensivë ushtarake në jugun e Rripit të Gazës. Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme në Riad theksohet, se refuzohet kategorikisht zhvendosja e detyruar e qindra mijëra civilëve. Riadi ka kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit “për të penguar Izraelin të shkaktojë një katastrofë kërcënuese humanitare”.

Netanjahu premton korridor të sigurtë

Para një sulmi të pritshëm në Rafah, kreu i qeverisë izraelite, Benjamin Netanjahu u ka premtuar civilëve që kanë shkuar aty një korridor të sigurtë.”Ne do t’i mundësojmë popullsisë civile një rrugë të sigurtë për të dalë nga qyteti”, tha Netanjahu, sipas deklaratave paraprake të publikuara nga një intervistë që e transmenton të plotë të dielën televizioni amerikan, ABC News. Izraeli ndërkohë ka bëtë të ditur zbulimin e një tuneli të Hamasit nën shtabin qendror të organizatës së OKB për ndihmën ndaj palestinezëve, UNRWA në Rripin e Gazës.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu i kishte dhënë ushtrisë të premten urdhrin për përgatitjen e një ofensive në Rafah duke theksuar se aty është i nevojshëm një mision ushtarak i gjerë. Dëshmitare okularë kanë njoftuar sipas agjencisë së lajmeve, AFP, se ka pasur sulme ajrore në Rafah./DW