Maqedoni

Mbi 130 nxënës janë çregjistruar nga shkollat e Kumanovës

Shkollat ​​fillore dhe të mesme të Kumanovës në gjysmën e dytë të vitit kanë mbetur pa 131 nxënës në krahasim me ata të regjistruar në fillim të vitit, sepse janë shpërngulur jashtë vendit.

Sipas Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Kumanovës, numri i nxënësve të çregjistruar në shkollat ​​fillore është më i madh në krahasim me shkollat ​​e mesme. Bëhet fjalë për 102 nxënës të çregjistruar nga shkollat fillore dhe 29 nga shkollat e mesme.

Sipas kësaj drejtorie janë çregjistruar nxënës të të gjitha nacionaliteteve, sepse familjet janë shpërngulur ose janë duke u shpërngulur në vendet e Evropës Perëndimore dhe një numër më i vogël shkojnë në qytete të tjera të vendit. Braktisja më e madhe është nga shkollat ​​më të mëdha në qytet.

Në fund të vitit të kaluar shkollor nga shkollat ​​e Kumanovës janë larguar 397 nxënës, dy herë më shumë se në gjysmën e parë të vitit kur janë larguar rreth 150. (INA)