Opinion

Talat Xhaferi si simbol i inferioritetit të shqiptarit që e ka prodhuar BDI-ja

Zeqirija Ibrahimi

Në zgjedhjet e vitit 2020 BDI-ja doli në fushatë me premtimin se nëse shqiptarët votojnë për atë parti, ata do ta kenë në atë qeveri Kryeministrin e Parë Shqiptar. Për t’u dukur më bindës, ata e nominuan ish deputetin e PPD-së, Naser Zyberi, për këtë pozitë dhe pastaj e shëtitën nëpër çdo tubim zgjedhor, duke kërkuar vota për t’u bërë ai kryeministër. E çka ndodhi pas atyre zgjedhjeve? Ajo që dihej nga çdo shqiptar. Krejt ajo kishte qenë një mashtrim i madh elektoral. Kështu, sapo përfunduan zgjedhjet, thanë se nuk e kanë pasur fjalën për kryeministër të plotfuqishëm, porse për kryeministër teknik, që – për neve që i dimë këto nocione – ka dallim njësoj si Alija e Ilija. Vërtet janë vetëm dy fonema, por janë dy identitete.
Kështu, në vend se të turpërohen e të kërkojnë falje pse e kanë mashtruar votuesin shqiptar, ata këtë mashtrim sot duan ta shpallin fitore, duke i trajtuar shqiptarët si qenie inferiore e harrestare.
Do të mbahet mend ajo skena kur, pata votimit të qeverisë, e pyesin Ali Ahmetin se “Ku është kryeministri shqiptar?” dhe ai, i zënë ngusht dhe pa përgjigje, bën me shenjë kah Zaevi. Siç e dimë pastaj, kryeministër pas zgjedhjeve të viti 2020 u bë Zoran Zaevi e më pas Dimitar Kovaçevski, ndërsa tash, kur shteti po shkon në zgjedhje dhe duhet të ketë qeveri teknike, i jepet mundësia një shqiptari që në këto 100 ditë të jetë aty administrator për të organizuar zgjedhje. Natyrisht, edhe me u mburr nëpër tubime me “kryeministrin shqiptar”. Kaq ka Talat Xhaferi nga kryeministri.
Simbolika që ata duan ta shpallin si fitore, se gjoja kemi kryeministër shqiptar është shprehje e kompleksit të vlerës së ulët. Domethënia e saj është se shqiptarët në pozitat kryesore në shtet mund të jenë vetëm si persona teknikë.
Në vend se të synojmë të jemi komb politik, BDI-ja po na shet për “komb teknik”.
Prandaj do e rrahin gjoksin se kanë prodhuar shqiptar teknik si kryeministër teknik në qeveri teknike. Ky është shqiptari i BDI-së.

P.S. Natyrisht, për bashkëkombësit tanë të Shqipërisë e Kosovës ky është akt i përafërt me shpalljen e pavarësisë nga Ismail Qemali. Por, ata nuk janë temë e këtij postimi. Ata e kanë hallall lajthitjen.