Iseni: Zona ekonomike në Likovë premtim mashtrues, ende evidentohet si “rajone krize” (VIDEO)
Anëtari i lartë i Lëvizjes Demokratike dhe profesori, Astrit Iseni sot përmes një postimi ka shprehur kritika për qasjen e Qeverisë ndaj vendbanimeve shqiptare sidomos në sferën e investimeve.
Ai ka përmendur zonën ekonomike në rajonin Likovë-Kumanovë që është lënë djerrinë dhe pasdore, derisa në anën tjetër sot në zonën ekonomike në Reçicë të Kumanovës u promovua një projekt investues prej 80 milionë eurove.
“Sot jemi në zonën e lirë ekonomike të premtuar në komunen e Likovës, që nuk është askund dhe që është një mashtrim për banorët e kësaj zone. Arsyeja e daljes këtu është se pikërisht sot pak kilometra nga këtu po promovohet dhe po hidhet gurthemeli i një investimi të ri të kompanisë Lidl me vlerë 80 milionë euro. Ndërsa, Komuna e Likovës vazhdon të jetë një vrimë e zezë në Maqedoni pasi që me dekada u la pasdore, edhe pse me decentralizimin e fundit u rikthye si komunë me shpresën se do ndodhë zhvillimi i saj”, theksoi Iseni.
Sipas tij, kjo komunë ende nuk ka Plan Detal Urbanistik dhe kjo ka bërë që të mos ketë qasje në fondet evropiane për zhvillim siç janë fondet IPARD3.
“Janë shumë projekte ku mund të aplikohet, por mungesa e planit dhe legalizimit të kësaj komune po ndodhë anashkalimi dhe margjinalizimi i saj. Nga kjo gjendje nuk po mund të përfitojnë as qytetarët e saj, bujqit që janë në numër të konsiderueshëm mbi 1800 të regjistruar si dhe bizneset në sektorë të ndryshëm. Zona e Lirë Ekonomike ishte premtuar nga viti 2016. Tanimë 7 vite nuk u ndërmorr asgjë konkrete. Shumë kompani të huaja por edhe mërgimtarë tanë, përfshi edhe bashkëatdhetarë tanë në Turqi kanë shprehur interes për të investuar me projekte konkrete. Kërkesat e tyre janë te vazhdueshme për shkak se duan të investojnë në vendlindje, por ato kanë has në vesh të shurdhër. Ky eshte realiteti i hidhur popull i dashur”, theksoi Iseni. (INA)