Maqedoni, i humbi paratë, në fund ia vuri flakën kazinos me benzinë (Foto)
Një person i cili ka humbur para në aparate ka djegur kazinon ku po luante, pas çka është dashur të ndërhyjnë zjarrfikësit dhe policia. Zjarri ka përfshirë një hapësirë të kazinos tek kompleksi rezidencial pranë kishës së Shën Jovan në pjesën e re të qytetit në Veles, transmeton Lideri.mk.
“Më 18 janar, në ora 18 në Veles, zyrtarë policorë nga SPB Veles kanë privuar nga liria D.M. (42 vjeç) nga fshati Buzalkovë, Veles, për shkak të dyshimit se ka shkaktuar zjarr në një kazino në Veles me lëndë djegëse. Zjarri është lokalizuar nga Njësiti Territorial Zjarrfikës i Velesit”- njofton Biljana Gjakovska, zëdhënëse e SPB Veles, transmeton Lideri.mk.
Personi është dërguar në stacionin policor, është njoftuar prokurori publik dhe pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë padi përkatëse, transmeton Lideri.mk.
Zjarri është lokalizuar nga zjarrfikësit e Velesit, njofton Qendra për Menaxhimin e Krizave.
“Thirrja për intervenim te zjarrfikësit në Veles është pranuar në ora 17:45. Pajisjet në hapësirën e kazinos u dogjën nga një mysafir në kazino me një lëng të ndezshëm. Njësiti i Zjarrfikësve ka ndërhyrë me dy automjete dhe dhjetëra zjarrfikës. Zjarri është lokalizuar në orën 19:45”, njofton QMK.
Në vendin e zjarrit ka arritur edhe një ekip emergjence, por askush nuk ka kërkuar ndihmë mjekësore./Lideri