Kosovë

Policia e Kosovës kryen bastisje në Banjskë, Lozhistë dhe Mitrovicë, konfiskohen armë

Policia e Kosovës ka kryer një bastisje në fshatin Banjskë dhe në Lozhistë.

Aksionin e bastisjes, e ka konfirmuar për KosovaPress zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Ai tha se “rasti ka të bëjë me barrikadat e vendosura në veri në vitin 2022”, duke mos dhënë detaje të tjera.

Njësiti për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka bastisur disa shtëpi e lokale të dy persona në Mitrovicën e Veriut mbi dyshimin se planifikonin sulm kundër rendit kushtetues të Kosovës.

Policia e ka iniciuar rastin si “bashkim për veprimtari kundër kushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, dhe siç thuhet në raportin policor, të dyshuarit kishin vepruar përgjatë datave 10 deri më 29 dhjetor.

Policia ka konfiskuar armë dhe materiale të tjera si dëshmi.

“Më datë 18.01.2024 Njësiti për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda me vendim të Gjykatës Themelore Prishtinë, kanë bërë kontrollin e shtëpive dhe lokaleve përcjellëse të dy të dyshuarve meshkuj kosovarë, ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar: një pushkë gjuetie, një pushkë ajrore, dy telefona, një tytë e trombllonit, dy CD, disa dokumente, një bateri e dorës dhe një këllëf i armës”, thuhet në raportin e PK-së.