Kosovë

Kosova kujton viktimat e masakrës së Reçakut

Kosova përkujton 25-vjetorin e masakrës së Reçakut, ku forcat serbe vranë barbarisht mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Në Reçak u bënë homazhe në nderim të të vrarëve, ku morën pjesë kreu shtetëror dhe qytetarë të shumtë.

Në homazhet e mbajtura kryeministri Albin Kurti, falënderoi ish-ambasadorin e misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili i tregoi botës për masakrën e Reçakut.

“Masakra e Reçakut këtu e 25 vjet më parë, kur u vranë 45 civil shqiptarë e tronditi si opinionin publik ndërkombëtar dhe diplomacinë botërore. E bëri të domosdoshëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Kur ndodhi masakra e Reçakut, ambasadori Ëilliam Ëalker si udhëheqës i OSBE-së në Kosovë erdhi këtu tek fshatarët dhe foli të vërtetën. Tha kjo është masakër dhe krim kundër njerëzimit. Dihet se e vërteta është armiku më i madh i diktatorëve dhe shovinistëve. Andaj sot e kësaj dite ambasadori Ëalker vazhdon të jetë ndërkombëtari më i sulmuar dhe urryer në Serbi, ku vazhdon të dominon një regjim autoritar, me që rast ish ministri i informatave të asaj kohe sot është president i Serbisë”, tha Kurti.

Ish-shefi i misionit të OSBE-s në Kosovë, Uilliam Ualker, u shpreh se është krenar që Kosova ka një demokraci funksionale.

“Për mua është shumë emocionuese, shpresoj që është një eksperience emocionuese për të gjithë njerëzit të cilët jetojnë dhe përparojnë tani në Republikën e Kosovës e cila është një histori e mrekullueshme për të cilën njerëzit e këtij fshati, fatkeqësisht u desh të sakrifikonin djemtë dhe burrat. Por, çfarë keni ju tani, si Republikë e Kosovës, një presidente, një kryeministër, një demokraci plotësisht funksionale jam thjeshtë shumë krenar të jem këtu dhe t’ju bashkohem në këtë ditë e cila ka shumë rëndësi për mua, për njerëzit e Reçakut dhe për të gjithë Kosovën”, tha Walker.

Ndërkohë akademinë përkujtimore, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se faktet janë më të fuqishme se sa propaganda serbe.

“E vërteta është gjithnjë më e fuqishme se sa gënjeshtra. Ndaj për Reçakun ka vetëm një të vërtetë- ‘Më 1999, civilët janë vrarë mizorisht nga një regjim gjenocidial nga regjimi i Millosheviqit. Kjo e vërtetë ishte atëherë, kjo e vërtetë është edhe sot dhe do të mbetet përherë e tillë në analet e historisë, pavarësisht se sa tenton ta mohojë regjimi si i Millosheviqi, ai i Vuçiqit”, u shpreh Osmani.

Sipas dëshmitarëve, më 15 janar të vitit 1999, forcat serbe fillimisht bombarduan fshatin me artileri të rëndë e më pas bastisën fshatin.

Pas Masakrës në Reçak, rifilluan luftimet 48-orëshe mes UÇK-së dhe forcave serbe për marrjen e kufomave. Serbia donte t’i zhdukte gjurmët e krimit, por tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak shpalosën të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish kriminelit serb Millosheviq.