Në Shkup nuk ka pasaporta në gjuhën shqipe
Ende nuk ka zgjidhje për kaosin e krijuar para sporteleve të MPB-së. Qytetarët vazhdojnë të presin me orë në radhë të gjata për marrjen e dokumenteve me emrin e ri të shtetit. Më shumë ankesa vijnë nga personat me nevoja të posaçme të cilët pavarësisht gjendjes së tyre detyrohen të presin me orë, disa ditë me radhë dhe prapë kthehen duar bosh. Ata kërkojnë nga institucionet që dokumentet të paktën personave me nevoja të posaçme dhe të moshuarve t’i dërgojnë me postë.
“Për invalidë duhet të jetë veç, për gra me fëmijë veç, dhe për të sëmurë veç, me dokument të mjekut unë jam invalid nuk mund të qëndroj në këmbë aty, të drejta nuk ka në këtë shtet, duhet në çdo komunë t’i dërgojnë letërnjoftimet”, deklaroi Ramadan Metallari, qytetar i moshuar.
Kjo është zgjidhja e tejkalimit të rrëmujës sipas Ramadan Metallarit, person me aftësi të posaçme dhe i moshuar, i cili që herët në mëngjes ka udhëtuar me autobus dhe i pari ishte para sporteleve për të marrë letërnjoftimin më emrin e ri të shtetit për të cilin thotë se ka ardhur disa here por që edhe sot kthehet pa dokumentin e tij personal.
“Letërnjoftimin e ri kanë thënë që duhet të merret se na dënojnë, kështu kam dëgjuar, por edhe s’mund të marrish pagën, s’mund të shkoj të marr pensionin dhe të gjitha duhet t’i kesh me emrin Maqedonia e Veriut por nuk ua di politikat këtyre. Dhe sot kthehesh pa letërnjoftim?! Po, po dhe më nuk vij, perse të vij, ka dy muaj që pres ende nuk ka letërnjoftim ja dokumentin që aplikova”, tha deklaroi Ramadan Metallari, qytetar i moshuar.
E përderisa Ramadani shkoi pa letërnjoftimin e tij, një tjetër qytetar priste rend për pasaportë e që është detyruar që ta merr vetëm në gjuhen maqedonase pasi i është thënë që mungojnë ekzemplaret në dygjuhësi.
“Ne erdhëm për herë të dytë për pasaportë sepse para një jave i dhamë dokumentet dhe në mënyrë të përshpejtuar bëmë pagesën ndërsa kur shkuam t’i marrim na kthyen prapë sepse na thanë se nuk ka pasaportë në dygjuhësi. Dhe vendosem të marrim dokumentin vetëm në një gjuhë, vetëm në maqedonisht sepse duhet të udhëtoj”.
Kërkuam përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme se a mungojnë ekzemplaret e pasaportave në dygjuhësi dhe se kur do të zgjidhet ky problem që detyron qytetaret të marrin pasaportat vetëm në një gjuhë por nga atje ende nuk kemi përgjigje.
Ndërkohe kryeministri Kovacevski sot deklaroi se për vendimin eventual të zgjatjes së afatit të ndërrimit të dokumenteve personale do të pritet epilogu i bisedës mes presidentit Stevo Pendarovski dhe presidentit të Greqisë dhe më pas do të mund të sillet një vendim. Deri atëherë mbetet afati i caktuar i ndërrimit të dokumenteve personale i cili është deri më 12 shkurt. /Alsat.mk