Alternativa i reagon ashpër Fatmir Mexhitit: Po vazhdon të mburret me projektet e Bekim Salit, një vit është vonuar lëshimi në përdorim i poliklinikës së Sarajit
Partia Alternativa ka reaguar pas hapjes së poliklinikës së Sarajit, duke thënë se ministri aktual i shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, po vazhdon të mburret me punën e ish ministrit të shëndetësisë Bekim Sali. Nga Alternativa kanë numëruar edhe sukseset që ka arritur gjatë mandatit të tij ministri Bekim Sali, që nga pajisja me aparate të reja për spitalin e Tetovës, specializimet e siguruara për USHT-në, listën pozitive të barnave e shumë të arritura tjera, të cilat sot ministri Mexhiti tenton t’i përvetësoj për vete.
“Për informacion të opinionit, poliklinika në Saraj është gati tashmë një vit, madje edhe pajisjet mjekësore për të ishin siguruar qysh në kohën kur ministër ishte Bekim Sali, ndërsa Fatmir Mexhiti ka meritë vetëm për dëmin që ua ka shkaktuar 40 mijë qytetarëve të Sarajit, të cilët i ka dëmtuar me atë që për ndërtimin e një oborri e ka zvarritur hapjen e poliklinikës një vit të plotë vetëm që kjo të përkojë me fushatën zgjedhore të vitit 2024”, thuhet në reagimin e Alternativës.
Megjithatë, shtojnë nga Alternativa, ata janë të lumtur që qytetarët e Sarajit do të kenë një poliklinikë dhe që kanë patur mundësi ta bëjnë atë për një vit të qeverisjes së tyre me Ministrinë e Shëndetësisë.
“Por, Fatmir Mexhiti dhe partia e tij duhet ta dinë se përvetësimi i meritave të të tjerëve nuk i amniston nga mungesa e projekteve dhe e rezultateve të tyre. Zgjedhjet po vijnë, ndërsa kështu si e ka nisur, pa asnjë punë dhe duke i përvetësuar punët e të tjerëve, ai do të mbahet mend si ministri që nuk ka bërë asnjë punë të vetme, pos pagesës për spitalet modulare që ia ka bërë Koço Angjushevit të listës së zezë amerikane.
Për fenomenin e ministrave si Fatmir Mexhiti populli shqiptar e ka krijuar një proverb shumë të bukur, që e përshkruan më së miri dembelizmin tij – “Kros more kros, si t’u nis, t’u sos”, thuhet në reagimin e Alternativës.