Maqedoni

Gashi: Ahmeti në panik se ka humbur përkrahjen nga Kosova dhe po ballafaqohet me humbje në zgjedhjet

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, ka deklaruar se Ali Ahmeti është në panik për shkak se e ka humbur përkrahjen nga Kosova dhe po ballafaqohet me humbje në zgjedhjet.
Ai për MKD.mk ka thënë se “për Ali Ahmetin është në rregull kur kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i jep përkrahje dhe kjo nuk paraqet përzierje, ndërsa kur mungon përkrahja nga Kosova, atëherë ai është i shqetësuar dhe jep deklarata të tilla.
“Edi Rama për çdo ditë organizon ngjarje dhe hapësira mediatike për Ali Ahmetin, e shpallin personazh të vitit i japin lloj-lloj epitetesh, kështu që Edi Rama është shumë i kyçur dhe i ndihmon aq sa mundet dhe do të vazhdojë ta bëj këtë. Poashtu, 20 vite me radhë Ali Ahmeti kishte përkrahjen e parezervë edhe nga Kosova edhe nga Shqipëria”, ka thënë Gashi,, duke rikujtuar kohërat kur ish kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi vinte në Shkup në mes të fushatave zgjedhore për të shprehur përkrahje për partinë e Ali Ahmetit.
Gashi shton se kur Kosova dhe Shqipëria i jepnin përkrahje që të fitojë, ishte mirë që të përzihen, ndërsa tani kur për herë të parë ndaloi ndihma për BDI-në nga Kosova, Ahmeti është i shqetësuar se ka mbetur vetëm me përkrahjen e Edi Ramës.
“Është e qartë vetëm një punë. Ali Ahmeti është shumë i frikësuar nga humbja dhe shkuarja në opozitë, por siç thotë populli ilaç për frikën nuk ka”, ka deklaruar Gashi.