Aksident i madh trafiku në Rusi, mbi 50 vetura përfshihen – katër të vdekur
Të paktën 50 vetura u përfshinë në një aksident të madh trafiku në autostradën M-11 në rajonin e Novgorodit të Rusisë, njoftoi kreu i rajonit Andrey Nikitin në kanalin e tij Telegram.
Sipas informacioneve të fundit, katër persona kanë humbur jetën në aksident, raporton agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass.
“Një përplasje masive me rreth 50 vetura ndodhi në autostradën M-11. Ka viktima. Tani shërbimet rajonale po ofrojnë të gjithë ndihmën e disponueshme. Ne do të ngremë një pikë në vendin e aksidentit ku njerëzit mund të ngrohen dhe qytetarëve do t’ju jepet çaj i nxehtë dhe sandviçë”, tha ai,
Më parë, shërbimi për shtyp i Inspeksionit Shtetëror për Sigurinë Rrugore raportoi se janë përplasur rreth 30 vetura.
Ndryshe, autostrada M-11 lidh Moskën dhe Shën Petersburgun, dy qytetet më të populluara ruse deri tani. Trafiku në drejtim të Moskës aktualisht është i ndërprerë.
Në vendngjarje kanë mbërritur punonjës të Ministrisë së Emergjencave, Inspeksionit Shtetëror për Sigurinë në Rrugë dhe Komitetit Hetimor. Prokuroria e Novgorodit nisi një hetim për aksidentin e madh.