Po zhvillohen kamerat që do të zbulojnë shoferët e dehur
Kompania me bazë në Melbourne, Acusensus, po bashkëpunon me Byronë Federale Australiane të Sigurisë Rrugore dhe Universitetin Griffith për të zhvilluar teknologjinë e bazuar në inteligjencën artificiale që do të masë vëmendjen e shoferit, kohën e reagimit dhe kontrollin pas timonit, të gjitha në kohë reale, shkruan CarExpert.
Duke përdorur shpejtësinë me të cilën shoferi vozit veturën dhe lëvizjet anësore brenda korsive të trafikut, teknologjia është në gjendje t’u dërgojë informacion oficerëve të policisë lokale për të ndërmarrë veprime të mëtejshme.
Gjatë zhvillimit, kompania ka thënë se përdor një simulator që tregon versione të krijuara nga kompjuteri të rrugëve reale në disa qytete australiane për të mësuar sjelljen e shoferëve që janë të dehur.
Shoferët testohen në një simulator të pijes për të mbledhur të dhëna nëse janë të dehur.
Të dhënat ende nuk janë implementuar në harduerin e kamerës, por kompania thotë se planifikon ta bëjë këtë pasi të dhënat të analizohen siç duhet.
Në një aplikacion të botës reale, hardueri mund të vendoset kudo në çdo kohë, por fillimisht do të testohet në një rimorkio të palëvizshme disa qindra metra larg veturave të patrullës së policisë, ndërsa softueri do të përdorë një proces me katër hapa: vendosje, regjistrim, analiza dhe rishikim automatik.
Në rezolucion shumë të lartë, imazhet e automjeteve që kalojnë do të kapen nga kamera të shumta blic dhe një sistem filtrimi, dhe më pas do të përpunohen nga një softuer i bazuar në inteligjencën artificiale që do të zbulojë shoferët e mundshëm nën ndikimin e alkoolit ose drogës.
Sistemi më pas do të shqyrtojë dhe dërgojë imazhet tek oficerët e policisë për shqyrtim, për të përcaktuar nëse oficerët duhet të ndalojnë dhe të testojnë një shofer të caktuar.
Qëllimi i kësaj teknologjie është të zvogëlojë ndjeshëm numrin e vdekjeve që u atribuohen atyre që drejtojnë veturën nën ndikimin e drogës ose alkoolit.
Kompania thekson se që kur programi i kamerës u prezantua në shtetin e Uellsit të Ri Jugor (Australi), ka pasur ulje të shkeljeve të tilla me mbi 80 për qind, dhe numri i viktimave në rrugë është ulur me më shumë se 20 për qind.