Maqedoni

Shkup, foshnjes ia thyen krahun gjatë lindjes, formohet Komision i posaçëm

Drejtoresha e Klinikës për Gjinekologji, Viktorija Jovanovska, paralajmëroi formimin e një komisioni të posaçëm të repartit të gjinekologjisë, i cili do të shqyrtojë në detaje rastin e të porsalindurit të familjes Damjanovski dhe do t’i hetojë arsyet e thyerjes së krahut të foshnjës.

Prindërit paraprakisht në një prononcim për portalin “Shkupi1” kanë pohuar se stafi është përpjekur ta mbulojë rastin dhe se nuk kanë lejuar ta shohin fëmijën e tyre.

Por Jovanovska pohon se janë respektuar të gjitha protokollet mjekësore. Sqaron se gjatë periudhës së vëzhgimit është procedurë standarde që të mos zbulohet informacion në kohë reale për prindërit.

Advertisements

Ajo pretendon se u njoh me rastin menjëherë pasi pediatrët shprehën shqetësimin për krahun e fryrë të foshnjës.

Sipas saj, pas lindjes nuk është mundur të konstatohet nëse bëhet fjalë për frakturë pasi nuk ka pasur ënjtje, por pasi është shfaqur menjëherë është bërë radiografi e cila ka vërtetuar dyshimet.

Sipas Jovanovskës, shkak ka qenë pozita e keqe e foshnjës dhe se në një situatë të tillë është një ndërlikim i paraparë që nuk ndodh shpesh.

Babai i foshnjes së lindur më 31 dhjetor në Klinikën Universitare të Gjinekologjisë ka pohuar se atij dhe gruas i ishte fshehur se i porsalinduri kishte krah të thyer, gjë që e morën vesh kur u lejuan ta shihnin për herë të parë.

Ai gjithashtu siguron se kur ka kërkuar informacion është përzënë nga njëra prej motrave, ndërsa gruaja e tij ka arritur ta shohë foshnjën pesë minuta pas një sërë këmbënguljesh.